Një udhërrëfyes i njohur nga grupi etnik Sherpa nga Nepali ka vendosur një rekord të ri historik, pasi është ngjitur në malin Everest për herë të 32-të, duke thyer rekordin e tij të vitit të kaluar.
Kami Rita Sherpa, 56 vjeç, arriti majën më të lartë në botë, 8 mijë e 849 metra, të dielën në mëngjes, ndërsa shoqëronte një grup alpinistësh të huaj nga kompania “14 Peaks Expedition”.
Departamenti i Turizmit i Nepalit e ka përgëzuar atë për këtë “moment historik”, duke vlerësuar kontributin e tij të vazhdueshëm në zhvillimin e turizmit malor në vend.
Sipas autoriteteve, Kami Rita Sherpa e arriti majën në orën 10:12 të paradites. Në të njëjtën ngjitje, një tjetër Sherpa, Lakhpa 52 vjeçe, ka shënuar gjithashtu një rekord personal, duke u ngjitur për herë të 11-të në Everest, më shumë se çdo grua tjetër deri më sot.
Kami Rita Sherpa ka lindur në fshatin Thame në distriktin Solukhumbu, e njëjta vendlindje me legjendën e alpinizmit Tenzing Norgay, i cili së bashku me Edmund Hillary-n realizoi ngjitjen e parë historike të Everestit në vitin 1953.
56-vjeçari e bëri ngjitjen e parë në Everest në vitin 1994 dhe që atëherë ka vazhduar pothuajse çdo vit, me përjashtim të viteve 2014, 2015 dhe 2020, kur ekspeditat u ndërprenë për arsye të ndryshme. Në disa sezone, ai është ngjitur edhe dy herë në majë.
Sipas të dhënave zyrtare, më shumë se 8 mijë persona kanë arritur majën e Everestit që nga ngjitja e parë historike.
Ndër alpinistët që nuk i përkasin grupit etnik Sherpa, rekordin e mban britaniku Kenton Cool me 19 ngjitje, i ndjekur nga amerikanët Dave Hahn dhe Garrett Madison me nga 15 ngjitje secili.
Udhërrëfyesit Sherpa luajnë një rol kyç në ekspeditat drejt Everestit, duke siguruar jo vetëm suksesin e ngjitjeve, por edhe të ardhura të rëndësishme për komunitetet lokale në rajonin Solukhumbu.
Për sezonin e këtij viti, autoritetet nepaleze kanë lëshuar 492 leje ngjitjeje për Everestin, ndërsa deri tani janë raportuar edhe tre viktima në mal gjatë këtij muaji.


