Xabi Alonso është trajneri i ri i Chelsea. Blutë e Londrës zyrtarizuan teknikun spanjoll me një njoftim për mediat në adresën zyrtare të klubit vetëm një ditë pas dështimit të radhës në këtë sezon, siç ishte humbja e finales së Kupës së Federatës kundër City.
“Klubi i Futbollit Chelsea ka kënaqësinë të njoftojë emërimin e Xabi Alonsos si trajner. Ai do të fillojë në rolin e tij më 1 korrik 2026, pasi ka rënë dakord për një kontratë katërvjeçare në Stamford Bridge. Mirë se vini te Çelsi, Xabi”, shkruhet në njoftimin e klubit londinez.
Tekniku 44 vjeçar kthehet në pankinë, pas aventurës së fundit zhgënjyese me Real Madrid, ku qëndroi vetëm gjashtë muaj përpara se të largohej nga detyra në janar të këtij viti.
Më parë, Xabi Alonso kishte drejtuar me sukses për dy sezone Bayer Leverkusen, duke fituar edhe titullin kampion në Bundesliga.
Këtë sukses, ai do të kërkojë ta përsërisë edhe në Premier League, por nuk do të jetë një mision aspak I lehtë.
Trajneri spanjoll merr drejtimin e Bluve të Londrës pas një sezoni katastrofik, ku në dy javët e fundit të kampionatit objektivi I vetëm I mbetur në lojë është një vend në Conference League.
Gjithsesi, sipas mediave angleze Xabi Alonso ka marrë sigurinë e duhur nga drejtësitë e Chelsea se do t’i plotësohen të gjitha dëshirat në merkaton e verës për të ndërtuar një skuadër fituese.


