TIRANË- Shqipëria është bërë pjesë e Qendrës së Ekselencës për Mbrojtjen Kibernetike Bashkëpunuese të NATO-s (NATO CCDCOE), një nga strukturat kryesore të Aleancës në fushën e sigurisë digjitale.
Për këtë arritje ka reaguar dhe kryeministri i vendit, Edi Rama. Nga Estonia, kryeministri thotë se kjo qendër përfaqëson një platformë të rëndësishme bashkëpunimi mes vendeve anëtare të NATO-s, ku zhvillohen trajnime, kërkime dhe strategji të përbashkëta për përballimin e kërcënimeve kibernetike.
Pjesëmarrja e Shqipërisë në këtë strukturë shihet si një hap në forcimin e kapaciteteve kombëtare në mbrojtjen nga sulmet kibernetike, si dhe në rritjen e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e sigurisë digjitale.
“Estoni – NGA DJE ANËTARË të Qendrës së Ekselencës për Mbrojtjen Kibernetike Bashkëpunuese të NATO-s (NATO CCDCOE), një nga strukturat më të rëndësishme të Aleancës për sigurinë kibernetike dhe mbrojtjen ndaj kërcënimeve digjitale Qendra përfaqëson një platformë bashkëpunimi dhe ekspertize mes vendeve aleate të NATO-s për zhvillimin e strategjive, trajnimeve dhe kapaciteteve në fushën e mbrojtjes kibernetike”, shkruan kryeministri Edi Rama.
Qendra e Ekselencës së NATO-s për Mbrojtjen Kibernetike është një nga institucionet më të rëndësishme të Aleancës në adresimin e sfidave të reja të sigurisë, veçanërisht atyre që lidhen me hapësirën kibernetike./abcnews.al


