Gjashtë vjet pasi u bë simbol i luftës globale kundër pandemisë COVID-19, kompania gjermane e bioteknologjisë “BioNTech” po përballet me një krizë të thellë financiare dhe organizative.
Kompania me seli në Mainz, e njohur për zhvillimin e vaksinës së parë të miratuar me teknologjinë ARNi kundër COVID-19 në bashkëpunim me Pfizer, ka njoftuar mbylljen e disa uzinave prodhuese në Gjermani dhe Singapor, si dhe shkurtime masive të vendeve të punës.
Sipas raportimeve, rreth 1,860 punonjës pritet të humbasin vendin e punës.
BioNTech raportoi humbje neto tremujore prej 532 milionë eurosh, ndërsa kompania po përgatitet edhe për largimin e themeluesve të saj, Ugur Sahin dhe Ozlem Tureci, të cilët u kthyen në figura globale gjatë pandemisë.
Analistët financiarë vlerësojnë se rënia e BioNTech lidhet me përfundimin e bumit të jashtëzakonshëm të të ardhurave nga vaksina kundër COVID-19, që solli miliarda euro fitime gjatë viteve të pandemisë. Rënia e kërkesës për vaksina në Evropë dhe SHBA ka lënë kompaninë me kapacitete të tepërta prodhimi dhe kosto të larta operative.
Si pjesë e ristrukturimit, BioNTech ka bërë të ditur se prodhimi i lidhur me vaksinat kundër koronavirusit do të transferohet te Pfizer.
Ekspertët theksojnë se rasti i BioNTech nxjerr në pah rrezikun e mbështetjes së një kompanie vetëm te një produkt i suksesshëm, sidomos në sektorin e bioteknologjisë, ku kostot e kërkimit dhe zhvillimit janë të larta dhe tregu mbetet i paqëndrueshëm.
Kompania kishte përfituar gjithashtu qindra milionë euro mbështetje nga qeveria gjermane për kërkimet kundër kancerit dhe për zhvillimin e vaksinës gjatë pandemisë.
/abcnews.al/


