“Ka vende që kur shkel, ndihen më shumë sesa mund të thuhen me fjalë. Prishtina është një prej tyre. Dhe unë sot, në vizitën time të parë zyrtare si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, nuk e ndjej këtë si një detyrim protokollar, por si privilegj, sepse jam mes vëllezërve”, u shpreh Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita, gjatë takimit zyrtar me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Kolonel Gazmend Hoxha.
Në takim, ku ishte i pranishëm edhe Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, z. Petrit Malaj, si dhe drejtues të lartë të dy policive, u vlerësua niveli shumë i mirë i bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve policore dhe rezultatet konkrete të arritura në luftën kundër kriminalitetit.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Kolonel Gazmend Hoxha, theksoi rëndësinë e koordinimit të vazhdueshëm dhe bashkëpunimit operacional ndërmjet dy policive, si një faktor kyç në garantimin e sigurisë, ruajtjen e rendit publik dhe forcimin e sundimit të ligjit.
Nga ana e tij, Drejtues Madhor Skender Hita falënderoi drejtuesit e Policisë së Kosovës për mikpritjen dhe rikonfirmoi gatishmërinë e Policisë së Shtetit për ta thelluar më tej bashkëpunimin me Policinë e Kosovës në të gjitha fushat me interes të përbashkët.
“Krimi sot është më i organizuar, më i sofistikuar dhe pa kufij. Për këtë arsye, edhe përgjigjja jonë duhet të jetë më e shpejtë, më e koordinuar dhe më e fortë. Shqipëria dhe Kosova kanë ndërtuar një partneritet model mes dy policive tona dhe ky bashkëpunim do të vijojë të forcohet në shërbim të sigurisë së qytetarëve tanë”, u shpreh Drejtori Hita.
Gjatë takimit u diskutua mbi prioritetet strategjike të dy institucioneve, sfidat aktuale të sigurisë dhe nevoja për rritjen e mëtejshme të bashkëpunimit në luftën kundër krimit të organizuar, krimit ndërkufitar dhe fenomeneve të tjera që cenojnë sigurinë rajonale.
Të dy drejtuesit vlerësuan bashkëpunimin e deritanishëm në shkëmbimin e informacionit, hetimet dhe operacionet e përbashkëta policore, si dhe në menaxhimin e sigurisë kufitare.


