Pikërisht në prag të sfidës erdhi një lajm i madh.
Arsenal është sërish favorit për fitoren e titullit në Premier Ligën angleze, pasi Evertoni ndali në barazim 3-3 ish-kampionen Mançester Siti.
“Topçinjtë” padyshim që do të kenë një nxitje më të fortë morale për të siguruar sonte vendin në finalen e Championsit.
Në orën 21:00 në stadiumin “Emirejts” nis gjysmëfinalja e parë ndaj Atletikos, dhe sfida e kaluar në Madrid përfundoi në barazim 1-1.
Jo vetëm që ky rezultat u shkon më shumë për shtat londinezëve, por ata mund të ankohen se u dëmtuan nga arbitrimi, pasi iu hoq një penallti që u akordua fillimisht dhe që u duk 11-metërsh.
Trajneri Mikel Arteta duhet të vendosë nëse duhet të rrezikojë yjet Odegard dhe Haverc që kanë qenë të dëmtuar, sepse ndoshta ky është momenti vendimtar.
Tekniku spanjoll tha se të dy yjet do të jenë pjesë e ekipit.
“Topçinjtë” kanë lajme të mira sepse mungesë e vetme është holandezi I dëmtuar, Timber, ndërsa italiani Kalafiori po luan së fundmi.
Një nga lojtarët kryesorë, Bukajo Saka, luajti në fundjavë, dhe u zëvendësua pas 45’ për të qenë i shlodhur.
Edhe sulmuesi Gjëkeresh duket në formë duke shënuar gola.
Atletiko pati një shqetësim për gjendjen e sulmuesit argjentinas, Hulian Alvarez.
Kampioni I botës e nisi në mënyrë individuale seancën e fundit stërvitore në “Emirejts”, por pastaj u bashkua me shokët.
Spanjollët duan të bindin yllin e ri që të qendrojë, me anë të një kualifikimi, ndërsa besohet se ai mund të kalojë pikërisht tek Arsenali.
Lojtarë të tillë si Barrios dhe Niko Gonzales mungojnë, ndërsa Simeone, Sorlot dhe Hoze Himenez kanë probleme fizike e nuk dihet sesa në formë mund të jenë.
Ndeshja e fundit mes dy ekipeve në “Emirejts” përfundoi 4-0 për Arsenalin, në sfidën e grupit pikërisht këtë sezon, ndonëse nuk pritet që gjysmëfinalja të ketë një diferencë të tillë.
Londinezët janë favoritë për finalen, edhe pse Atletiko nuk është ekip që mund të hiqet lehtë nga lista.


