TIRANË- Gjykata e Lartë vendos rishikimin e praktikës unifikuese të vitit 2011 për vendosjen e arrestit në burg.
Sipas vendimit të Kolegjeve të Bashkuara, paraburgimi ka natyrë përjashtimore dhe mund të vendoset vetëm kur masat e tjera janë të papërshtatshme.
Kufizimi më i rëndë i lirisë personale duhet të jetë i arsyetuar për çdo rast dhe i mbështetur me prova pse duhet paraburgimi dhe jo masë alternative.
Sipas vendimit, është përgjegjësi konkrete e prokurorisë për të justifikuar nevojën e arrestit në burg.
Avokati Ili Gërdupi, i ftuar në “Tirana Live” u shpreh se pas ndryshimit të praktikës, Gjykata do duhet të argumentojë qartësisht miratimin e një mase dhe nuk mund të caktojë një masë më të ashpër nga ajo që kërkon prokuroria.
Ai theksoi se mbi 60% e personave që janë në burg, janë të paraburgosur dhe nuk ka një vendim Apeli, që konfirmon fajësinë apo pafajësinë e tij.
“Jo të gjithë të paraburgosurit paraqesin rrezikshmëri shoqërore. Gjykata duhet të vlerësojnë të gjitha masat e tjera. 61% e personave që ndodhen në burg janë të paraburgosur, kjo tregon tendencë për të kërkuar masa sigurimi, të cilat janë sa më të ashpra. Këto janë statistika, që e tregojnë këtë.
Gjykata nuk ka të drejtë të vendosë një masë, që është më e rëndë nga ajo që kërkon prokurori. Përveç ato raste për të ruajturës shoqërisë dhe hetimet, në raste të tjera sjellin vetëm dëme.
Shumica e personave e konsumojnë dënimin me masën e arrestit me burg. Ka patur raste edhe të pafajshëm dhe me dënim të kryer. Gjykata është e detyruar ta respektojë këtë vendim unifikues. Kur jep masën e sigurisë, minimalisht Gjykata duhet ta arsyetojë këtë”, tha ai.


