Policia e Elbasanit ka dalë me një njoftim zyrtar sa i takon operacionit antidrogë, që është zhvilluar këtë të shtunë, 2 maj, në qytetin e Elbasanit, Librazhdit e Prrenjasit.
Sipas njoftimit të policisë Prokuroria Elbasan janë lëshuar gjithsej 24 urdhra ndalimi.
Ekzekutohen 16 urdhra ndalimi, (8 urdhra ndalimi janë ekzekutuar gjatë operacionit të sotëm dhe 8 urdhra ndalimi janë ekzekutuar gjatë periudhës hetimore njëvjeçare).
Ndërkohë, gjatë operacionit të zhvilluar ditën e sotme, është kapur edhe 1 shtetas i shpallur në kërkim dhe është arrestuar në flagrancë një shtetas tjetër për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.
Janë sekuestruar 9 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis, një pjesë e ndarë në doza gati për shitje, rreth 100 gram kokainë, një pjesë gati për shitje, 5 peshore elektronike, 7 automjete dhe 17 aparate celularë.
“Gjatë operacionit të zhvilluar mëngjesin e sotëm, u bë e mundur ekzekutimi i 8 urdhrave të ndalimit për shtetasit I. Sh., 38 vjeç; R. Z., 52 vjeç; G. Ç., 23 vjeç; A. B., 49 vjeç; N. S., 39 vjeç; L. F., 33 vjeç; J. I., 31 vjeç dhe M. Ç., 32 vjeç.
Gjithashtu, gjatë operacionit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit R. H., 39 vjeç, si dhe u kap shtetasi në kërkim P. Q., 54 vjeç, i shpallur në kërkim nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për veprën penale “Menaxhimi i mbetjeve”, kryer në bashkëpunim.
Gjithashtu, u ekzekutuan 27 vendime të Gjykatës për kontrolle banesash dhe ambientesh të ndryshme”, njofton policia.
Strukturat e Hetimit të DVP Elbasan, nën drejtimin e Prokurorisë Elbasan, vijojnë punën për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj veprimtarie kriminale, si dhe për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim.


