Kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla ka përfunduar dëshminë e tij para togave të zeza në SPAK, sa i takon gjyqit të kreut të PD, Sali Berisha për dosjen “Partizani”. Balla ishte i pari që foli si dëshmitar, pasi është gjithashtu edhe kallëzuesi i kësaj çështjeje.
Në një prononcim për mediat, ai u shpreh se i qëndron deri në fund kallëzimit të tij. Teksa tha se shpreson e beson, që drejtësia do të bëjë detyrën e saj.
Më tej Balla u shpreh se uron që në vijim të thirret si dëshmitar edhe për një çështje tjetër mjaft të rëndësishme, për opinion publik, “21 Janarin”.
“Është një lajm i mirë për të gjithë shqiptarët. Unë uroj që procesi të jetë i drejtë dhe përgjegjësia penale të shkojë te gjithkush. Unë nuk jam nga ata persona që kam bërë një kallëzim penal në një emër tjetër, unë e kam bërë në emrin tim dhe i qëndroj deri në fund. Drejtësia vonon, por nuk harron.
Kompleksi Partizani, sot janë 17 kulla. Uroj shumë që ditët në vijim, të jem këtu edhe për një kallëzim tjetër, që ka të bëjë për ’21 Janarin’. Shpresoj shumë që edhe për këtë çështje të jem i thirrur si dëshmitar, sepse kam qenë i pranishëm në protestë. Unë nuk do të bëj asnjë citim të çështjeve që kam bërë në gjykatë. Besoj shumë që kjo çështje të marrë vendimin e duhur nga drejtësia”, u shpreh Taulant Balla.
Më 15 prill, GJKKO pranoi kërkesën e Sali Berishës, për të thirrur edhe kryeministrin Edi Ramës si dëshmitar. Nga ana tjetër nuk është pranuar kërkesa që të pyetet oficeri i policisë gjyqësorë, Besmir Karanxha, pasi sipas gjykatës nuk ka relevancë pyetja e tij, sepse nuk arrihet ndonjë qëllim me marrjen e dëshmisë së tij.
Kujtojmë se dosja “Partizani” me 333 fashikuj u dorëzua pasditen e 18 tetorit të viti 2024 në gjykatë nga Prokuroria e Posaçme. Pritet që gjatë seancës ish-kryeministri Berisha të kërkojë revokim të masës së sigurimit.


