Lufta në Iranin po i sjell përfitime të papritura një vendi në Amerikën e Jugut, Guyana. Ky shtet i vogël është duke përjetuar një rritje të jashtëzakonshme ekonomike falë eksporteve të naftës, të cilat po zgjerohen më shpejt se në çdo vend tjetër në botë. Si pasojë e tensioneve dhe konfliktit, çmimet globale të naftës janë shtrenjtuar ndjeshëm. Kjo ka bërë që vendet prodhuese të përfitojnë më shumë të ardhura nga shitja e naftës në tregjet ndërkombëtare.
Në rastin e Guyanës, të ardhurat nga nafta thuajse janë dyfishuar. Sipas të dhënave të fundit, të ardhurat nga ky sektor kanë kaluar nga rreth 370 milionë dollarë në javë para përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme, në afro 623 milionë dollarë në javë aktualisht.
Kjo rritje e shpejtë e të ardhurave nga ari I zi po e shndërron Guyanën në një nga ekonomitë me rritjen më të shpejtë në botë. Investimet në infrastrukturë, energji dhe zhvillim ekonomik pritet të rriten, ndërsa qeveria ka më shumë hapësirë për të financuar projekte publike dhe për të përmirësuar standardin e jetesës për qytetarët.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se varësia e madhe nga nafta mund të paraqesë rreziqe afatgjata. Luhatjet e çmimeve në tregjet globale dhe varësia nga një burim i vetëm të ardhurash mund ta bëjnë ekonominë të cenueshme dhe të paqendrueshme në të ardhmen.
Rasti i Guyanës tregon qartë se si krizat ndërkombëtare mund të kenë efekte të ndryshme në varësi të vendeve. Ndërsa disa ekonomi përballen me pasoja negative nga konfliktet dhe pasiguria globale, të tjera mund të përfitojnë ndjeshëm, duke ndryshuar balancat ekonomike në nivel botëror./abcnews.al


