Temperaturat e larta të fundit të muajit prill kanë sjellë një rritje të ndjeshme të të huajve në Vlorë, duke dhënë sinjalet e para të një sezoni turistik që pritet të jetë i suksesshëm.
Një grup turistësh nga Gjermania kanë zgjedhur pikërisht këtë periudhë për të kaluar disa ditë pushimi në Shqipëri, duke përfshirë në itinerarin e tyre edhe qytetin bregdetar të Vlorës.
“Do të qëndrojmë këtu edhe për 10 ditë akoma. Kemi vizituar disa vende si në Krujë, Durrës dhe sot jemi edhe në Vlorë. Është një tur ku ke mundësinë të udhëtosh shumë dhe të shikojmë sa më shumë, ndërsa do të vizitojmë edhe jugun e më pas edhe në Tiranë. Mund të them që më ka surprizuar gjithçka për mirë dhe kam parë gjëra shumë të bukura dhe Shqipëria mbetet një vend fantastik për t’u vizituar dhe unë e rekomandoj”, u shpreh një turist.
Vizitorët, të cilët ndodhen për herë të parë në vendin tonë, shprehen të surprizuar nga natyra, klima dhe mikpritja.
“Jam nga Dyseldorf në Gjermani. Jemi duke udhëtuar përgjatë vendit dhe kjo është hera ime e parë këtu. Natyra është fantastike, më pëlqen shumë por jo vetëm. Ne do të qëndrojmë për gati dy javë në Shqipëri dhe kemi mundësinë për të vizituar sa më shumë”, shprehet turisti gjerman.
Shqipëria iu ka lënë shumë mbresa pozitive, ndaj e konsiderojnë një destinacion që ia vlen të vizitohet.
“Jam shumë i impresionuar deri më tani me çfarë kam parë këtu. Ka gjëra që nuk i gjen në vende të tjera dhe po shikoj si është mënyra e jetesës këtu dhe është një vend që më pëlqen. Pastaj natyra është fantastike. Po, është hera ime e parë në Shqipëri. Do të rikthehem? Po, patjetër që po. Dhe e rekomandoj për t’u vizituar”, tha një tjetër turist i huaj.
Vlora mbetet një nga qytetet që tërheq vizitorë pothuajse gjatë gjithë vitit, por me afrimin e sezonit veror dhe rritjen e temperaturave, fluksi i turistëve pritet të shtohet ndjeshëm, me vizitorë nga vende të ndryshme të botës.


