Numërimi mbrapsht ka filluar… Më pak se 48 orë janë në dispozicion të politikës në Kosovë për ti dhënë vendit një president të ri apo për ta dërguar atë në zgjedhje të reja.
Sinjalet politike për një marrëveshje janë të pakta. Dardani Krasniqi, njohës i zhvillimeve politike, vlerëson se mund të ketë përpjekje formale deri në momentin e fundit, ndërsa një pjesë e madhe e partive po e lidhin qëndrimin e tyre me ruajtjen e integritetit institucional.
Ai paralajmëron se, nëse nuk zgjidhet presidenti dhe vendi shkon sërish në zgjedhje brenda 45 ditësh, mund të ketë afrime apo bashkime mes partive që do ta bëjnë garën më interesante.
“Mund të ketë përpjekje sa për sy e faqe deri në momentin e fundit.
E rëndësishme është se një pjesë e madhe e partive i shërben ruajtjes së integritetit të institucioneve, Vetëvendosje pa kurrfarë kompromisi ka lënë të gjitha ligjet.
Kjo është një shenjë që po të kenë edhe presidentin mund të bëhen edhe më agresiv dhe të abuzojnë me pushtetin.
Politika nuk po kupton thelbin e demokracisë. Nga ajo që kemi dëgjuar edhe nga kryeministri aktual, ai bëri një thirrje kërcënuese sepse vota është vullnet qytetar, por nëse nuk zgjidhet presidenti do shkojmë sërish në zgjedhje. Në këto kohë kur mund të kemi brenda 45 ditësh zgjedhje, nuk pritet të ketë ndonjë parti të re; mund të kemi përafrim të Osmanit me LDK. Mund të ketë bashkime të partive që mund ta bëjnë garën më interesante.”


