TIRANË- Zëvendësministri i Ekonomisë, Enkelejd Musabelliu, i ftuar në emisionin “Sheshi i Dollarit”, deklaroi se Ministria e Ekonomisë mban një rol kyç në procesin e integrimit europian të vendit.
Sipas tij, kjo ministri udhëheq negociatat në 10 kapituj të rëndësishëm dhe kontribuon edhe në shumë kapituj të tjerë të procesit të integrimit. Musabelliu theksoi se në këtë periudhë dhe në dy apo tre vitet e ardhshme, fokusi kryesor i punës së ministrisë do të jetë integrimi europian i ekonomisë shqiptare.
Ai nënvizoi se ky proces përfshin përafrimin e legjislacionit vendas me atë të Bashkimit Europian, si dhe një transformim të plotë të klimës rregullatore dhe të vetë ekonomisë shqiptare.
Musabelliu shtoi se, pavarësisht përfitimeve që sjell integrimi, ky proces shoqërohet edhe me sfida të shumta, duke theksuar se mbetet ende punë për t’u bërë në të gjitha drejtimet për përmirësimin e standardeve dhe korrigjimin e mangësive ekzistuese.
“Ministria e Ekonomisë është një nga ministritë që mban peshën më të madhe sa i përket procesit të integrimit, sepse nga volumi i punës për integrimin, kjo ministri udhëheq negociatat në 10 kapituj, ndërsa kontribuon edhe në shumë kapituj të tjerë.
Puna e përgjithshme e Ministrisë së Ekonomisë, në këtë periudhë dhe në dy apo tre vitet e ardhshme, do të jetë e fokusuar kryesisht tek integrimi europian i ekonomisë shqiptare. Kjo nënkupton rregullimin dhe përafrimin e legjislacionit vendas me atë europian.
Ministria është duke udhëhequr një proces të plotë transformimi të klimës rregullatore të ekonomisë shqiptare dhe një transformim të gjithanshëm të saj, me synimin që Shqipëria të bëhet pjesë e Bashkimit Europian. Integrimi, përveç benefiteve, paraqet edhe disa sfida. Në të gjitha drejtimet ka ende punë për t’u bërë dhe për të korrigjuar mangësitë ekzistuese”, tha ai./abcnews.al


