Skënderbeu kërkon sulmuesin Danilo Alvesh

schedule14:50 - 22 Janar, 2018

schedule 14:50 - 22 Janar, 2018

Trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja, është shumë i kënaqur me fazën përgatitore në Turqi, por kërkon sërish përforcime. Daja po përpiqet të marrë një sulmues nga Flamurtari

Faza përgatitore në Antalia përfundoi me sukses.

Pati edhe fitore, edhe barazime, edhe humbje, me trajnerin Daja të kënaqur me lojën, por ende jo plotësisht I lumtur me repartin sulmues.

Largimi i lojtarit ofensiv Nespor ka bërë që korçarët të kenë vetëm Ali Souen si sulmues të deklaruar, ndaj edhe Daja po mendon për një njohje të vjetër të Superligës.

Ky është Danilo Alvesh, sulmues i Flamurtarit, që luan prej disa sezonesh në Shqipëri.

Braziliani, dikur shumë i rëndësishëm për vlonjatët, aktualisht duket jashtë planeve të trajnerit Shpëtim Duro, që ka marrë në janar përforcime të rëndësishme në repartin sulmues.

Gjithsesi, Daja pëlqen karakteristikat e Alveshit, dhe nëse ia del ta marrë, mund ta kthejë në lojtar të rëndësishëm, siç bëri me Gjergji Muzakën apo siç po përpiqet të bëjë me Emiliano Vilën.

Korçarët, ndërkaq, kanë nisur përgatitjet në kompleksin “Tropikal” në Durrës, pas kthimit nga Turqia.

Kryesuesit janë në pozicion shumë të mirë në Superligë, pasi kanë 37 pikë dhe janë 9 pikë të shkëputur nga Flamurtari i vendit të dytë.

Në 26 janar, ditë kur rifillon kampionati, Skënderbeu do të luajë në fushën e Luftëtarit, në ndeshjen e javës së 17-të./abcnews.al