Ministri i Bujqësisë, Adis Salla, deklaroi se skema e re e financimit për fermerët është hartuar në përputhje të plotë me nevojat dhe kërkesat e tyre, duke synuar rritjen e mbështetjes në sektorë të ndryshëm të bujqësisë.
Në një intervistë për “Money Report” në ABC News, ai theksoi se institucionet kanë qenë vazhdimisht në terren për të orientuar fermerët dhe për të marrë sugjerimet e tyre në hartimin e politikave mbështetëse. Sipas tij, skema përfshin një sërë risish dhe masash konkrete, duke mbuluar fusha si pemtaria, arroret, bletaria dhe krijimi i fermave të reja, ndërsa parashikon edhe përfitime financiare dhe mbështetje me mjete për zhvillimin e aktivitetit bujqësor.
“Gjatë gjithë kohës kemi qenë në terren për të orientuar fermerët. Kemi arritur që skema të përafrohet nga sugjerimet që kemi marrë nga fermerët. Skema e financimit është sipas kërkesës së fermerët. Iu kemi thënë fermerëve që skema është për ta dhe do të përdoret sipas nevojës së tyre. Masat kryesore janë në të gjitha fushat. Skema tjetër që mund të përfitojmë nga arroret, pemtaritë, apo fermat e reja që ata krijojnë. Janë një sërë risish në skemën e financimit.
Ka edhe plantacione, ku fermeri do të përfitojë mbi 2 mijë e 500 euro nga 10%, shtojmë këtu edhe përfitime të tjera si mjeti motorik dhe elementë të tjerë që ferma ka nevojë. Ka shumë interes, ne kemi pasur disa kërkesa dhe takime me të rinjtë të cilët kanë interes. Kërkesat kanë qenë shumë të larta. Është edhe pjesa e bletarisë që ne kemi mbështetur këtë vit. Është edhe tek ulliri, por edhe tek pemëtari të tjera”, tha ministri Salla.


