Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky njoftoi këtë të martë se furnizimet me naftë Ruse përmes tubacionit Druzhba janë gati të rifillojnë, duke lehtësuar kështu mosmarrëveshjet dhe përplasjet e tenisonuara dhe vazhdueshme të Kievit me Hungarinë dhe Sllovaninë, dy vende anëtare të Bashkimit Europian. Tubacioni Druzhba kishte dale nga funksioni që prej fundit të muajit janar, pasi Kievit kishte raportuar se ishte dëmtuar nga një sulm rus.
“Ukraina ka përfunduar punimet e riparimit në segmentin e tubacionit të naftës Druzhba që u dëmtua nga një sulm rus. Tubacioni tani është gati për të rifilluar operacionet”, deklaroi Zelensky.
Presidenti Ukrainas deklaroi se askush nuk mund të garantojë se sulme të tjera ruse ndaj këtij tubacioni nuk do të ndodhin në të ardhmen ndërsa shtoi se ekspertët Ukrainas kanë krijuar bazën për rikthimin e plotë të sistemit dhe pajisjeve në funksion.
Presidenti ukrainas u shpreh gjithashtu se shpreson që Bashkimi Evropian të zhbllokojë në ditët në vijim një kredi prej 90 miliardë eurosh (rreth 106 miliardë dollarë) për Kievin, duke theksuar se të gjitha pengesat tashmë janë hequr.
“Ukraina ka përmbushur kërkesën e bërë nga Bashkimi Evropian”, tha ai, duke shtuar se çështjen e paketës financiare e kishte diskutuar edhe me Presidentin e Këshillit Evropian, António Costa. Kjo kredi, e konsideruar si një mbështetje jetike financiare për Ukrainën në kushtet e agresionit rus, ishte bllokuar nga Hungaria për shkak të ndalimit të tranzitit të naftës ruse përmes tubacionit Druzhba.
Shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, deklaroi pas mbledhjes së Këshillit të Punëve të Jashtme më 21 prill se një “vendim pozitiv” për kredinë mund të pritet “brenda 24 orëve”. Budapesti dhe Bratislava akuzuan Ukrainën se po bllokonte tranzitin për arsye politike, akuza që Kievi i hodhi poshtë. Të dy vendet e përshkallëzuan përplasjen më 18 shkurt duke ndalur eksportet e naftës dizel drejt Ukrainës.
Hungaria dhe Sllovakia, të dyja vende pa dalje në det, ishin të vetmet vende të BE-së që vazhdonin të merrnin naftë ruse përmes degës jugore të tubacionit Druzhba . Kjo rrugë përbën rreth 86–92% të importeve të naftës së Hungarisë dhe pothuajse të gjithë furnizimin e Sllovakisë.
Kryeministri në largim i Hungarisë, Viktor Orbán, i konsideruar si një nga liderët më miqësorë ndaj Kremlinit në BE, e kishte vendosur këtë çështje në qendër të fushatës së tij zgjedhore, duke akuzuar Ukrainën për “shantazh energjetik”.
Sipas një letre të dërguar më 20 prill nga Orbán drejtuar António Costa-s, Budapesti kishte marrë sinjale nga Brukseli se Ukraina ishte e gatshme të rikthente tranzitin e naftës. Ai shtoi se sapo tranziti të rifillojë, Hungaria do të heqë veton ndaj kredisë “pa vonesë”.


