Shtetet e Bashkuara të Ameriksë dhe Hamasi kanë zhvilluar bisedimet e tyre të para të drejtpërdrejta që nga fillimi i armëpushimit në Gaza, në një përpjekje për të ruajtur dhe forcuar marrëveshjen e brishtë të ndërmjetësuar nga Washingtoni.
Mediat e huaja, shkruajnë sipas dy burimeve nga Hamasi, një delegacion amerikan i udhëhequr nga këshilltari i lartë Aryeh Lightstone u takua në Kajro me kryenegociatorin e Hamasit, Khalil al-Hayya.
Në takim mori pjesë edhe Nickolay Mladenov, përfaqësues i lartë për çështjet e Gazës.
Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit refuzoi të komentojë mbi negociatat në vazhdim, duke theksuar se bisedimet janë ende në zhvillim, shkruan CNN.
Gjatë takimit, al-Hayya kërkoi që Izraeli të zbatojë plotësisht angazhimet e fazës së parë të marrëveshjes së armëpushimit, duke përfshirë ndalimin e sulmeve dhe rritjen e ndihmës humanitare. Sipas tij, vetëm pas kësaj mund të kalohet në fazën e dytë të marrëveshjes.
Armëpushimi, i arritur në tetor, i dha fund një lufte dyvjeçare në Gaza, por shumë çështje mbeten ende të pazgjidhura, përfshirë rolin e ardhshëm të Hamasit në qeverisjen dhe sigurinë e territorit.
Ndërkohë, Hamasi ka rikthyer kontrollin në zonat që nuk janë nën pushtimin izraelit, ndërsa ushtria izraelite vazhdon operacionet ushtarake në enklavë.
Takimi në Kajro vjen disa ditë pasi Lightstone u takua me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu për të siguruar zbatimin e angazhimeve nga ana e Izraelit.
Sipas burimeve diplomatike, Izraeli ka kushtëzuar zbatimin e plotë të marrëveshjes me angazhimin e Hamasit për çarmatim.


