Në diasporë jetojnë 2.2 milionë shtetas shqiptarë. Sipas raportit të Institutit të Statistikave “Diaspora e Shqipërisë” ku është përllogaritur popullsia shqiptare që jeton jashtë vendit, rezulton se Italia dhe Greqia kanë numrin më të lartë të emigrantëve, ndjekur nga Gjermania, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar.
Të dhënat tregojnë se Italia dhe Greqia janë qendra kryesore të stabilizimit afatgjatë të emigrantëve shqiptarë.
Kjo reflektohet si në numrin e lartë të rezidentëve, ashtu edhe në proceset e integrimit, përfshirë lejet e qëndrimit dhe fitimin e shtetësisë. Raporti veçon edhe komunitetin shqiptar që jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i cili përllogaritet në rreth 206 mijë persona.
Sipas të dhënave të Instat, rreth gjysma e lejeve të qëndrimit në vendet europiane është dhënë për bashkim familjar, ndjekur nga arsyet e punësimit e më pas studimi; vërehet se 1.1 milionë individë janë meshkuj dhe rreth 1 milion femra.
Përllogaritjet e diasporës tregojnë se ajo përfshin një popullsi relativisht të re dhe pjesën kryesore e zë grupmosha 15-64 vjeç me rreth 77%, ndjekur nga grupmosha 0-14 vjeç.
Shqiptarët mbi 65 vjeç që jetojnë në diasporë zënë vetëm 5% të totalit. Kjo tregon një diasporë me profil të ri, ekonomikisht aktive dhe me potencial të lartë kontributi në tregjet e punës të vendeve pritëse.
Ndërkohë që emigrantët kanë sjellë pranë familjeve të tyre më shumë të ardhura. Vetëm nga të ardhurat që kanë sjellë emigrantët, ekonomia ka përfituar mbi 5.2 miliardë.
Sipas Bankës së Shqipërisë, për vitin e kaluar remitancat arritën në 1.12 miliardë euro, niveli më i lartë i regjistruar deri tani në serinë e bilancit të pagesave. Nëse bëjmë një krahasim të parave të sjella nga emigrantët në vitin 2024, rezulton se janë rritur me 73.69 milionë euro, ose 7.1%.


