Filmi më i ri shqiptar “Karma” pritet të vijë si një nga premierat më të forta të sezonit, duke sjellë në ekran një histori që sfidon moralin dhe zgjedhjet njerëzore. Me regji dhe skenar nga Esat Fejza, premiera do të mbahet më 16 prill në Prishtinë dhe Prizren.
Në qendër të filmit është aktori Xhemi Agaj, i cili shfaqet me një profil të fortë, shpesh të etiketuar si “bad boy”, në një rrëfim që ndërthur dramën me ironinë dhe absurditetin. “Karma” ndjek historinë e tre miqve që ribashkohen pas vitesh dhe vendosin të ndryshojnë fatin e tyre me një plan të pazakontë, por gjithçka del jashtë kontrollit.
Ngjarjet marrin një kthesë të papritur, duke i futur personazhet në një spirale ku realiteti përplaset me pasojat e vendimeve të tyre. Filmi trajton një nga konceptet më të vjetra universale: ligjin e shkakut dhe pasojës, duke theksuar se askush nuk mund t’i shpëtojë veprimeve të veta.
Me një kast të pasur aktorësh dhe një ansambël të fuqishëm artistik, projekti është realizuar nga Prolog Film L.L.C. në bashkëprodhim me G-ON Film Production, me mbështetjen e Qendra Kinematografike e Kosovës.
Filmi, i realizuar në format 4K dhe me kohëzgjatje 87 minuta, premton një përvojë të plotë kinematografike, ku argëtimi ndërthuret me reflektimin e thellë. “Karma” prek tema si lakmia, tradhtia dhe krizat morale, duke sfiduar publikun të përballet me ndërgjegjen e vet.
Paralelisht, Xhemi Agaj vazhdon të jetë një zë me ndikim edhe jashtë ekranit përmes “Albanian Oda Podcast”, ku interviston personazhe të njohur dhe sjell diskutime që shpesh bëhen virale./abcnews.al



