Pedro Sanchez mund t’i ketë dyert të mbyllura në Uashington pas përplasjeve të vazhdueshme me Donald Trump për luftën në Iran, por ai ka gjetur një tjetër aleat.
Është e ditur se Europa po i hedh sytë nga Kina për një partner të besueshëm tregtar dhe kryeministri spanjoll nuk bën përjashtim nga ky rregull.
Në vizitën e tij të katërt në Pekin në katër vitet e fundit, Sanchez u takua me presidentin kinez Xi JinPing. Kryeministri spanjoll përsëriti deklaratat e tij për respektimin e rendit ndërkombëtar, ku nuk mbizotëron ligji i më të fortit.
Ai theksoi se sot ligjshmëria ndërkombëtare po shkelet dhe përmendi në veçanti situatën në Lindjen e Mesme, ku sipas tij rendi po shkelet nga qeveria izraelite.
“Sistemi shumëpalësh nuk po respektohet sot. Ligjshmëria ndërkombëtare po shkelet dhe jo vetëm kaq, por ata prej nesh që ngrenë zërin kundër atyre qeverive që po shkelin të drejtën ndërkombëtare e gjejnë veten, në mënyrë kontradiktore dhe paradoksale, të nënshtruar ndaj kërcënimeve nga ato vende”, tha kryeministri spanjoll Pedro Sanchez.
Vizita e Sanchez në Kinë vjen në një moment të ndërlikuar gjeopolitik, ndërsa udhëheqësit europianë përpiqen të ndikojnë në përfundimin e luftës së Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit në Iran.
Ndërkohë marrëdhënia e Spanjës me Uashingtonin mbetet e tensionuar dhe Donald Trump ka kërcënuar disa herë me embargo tregtare për Madridin.
/abcnews.al/


