Shqiptarët janë pesimistë për armëpushimin në Lindjen e Mesme. Sondazhi javor Zëri i Shqiptarëve në Abc News del në konkluzionin se shumica e qytetarëve shqiptarë në masë 67% nuk besojnë se SHBA dhe Irani do të bien dakord për një marrëveshje paqeje afatgjatë.
Vetëm 33% janë optimist tek aftësitë surprizuese të Donald Tramp, siç e kishte portretizuar veten së fundmi si Jezu Krishti me një foto me Inteligjencë Artificiale.
Zgjatja e kësaj krize reflektohet tek çmimet e naftës dhe ushqimeve në Shqipëri. Qeveria ka ndërmarrë hapat e parë, por gjysma e shqiptarëve kërkojnë që paketa e krizës të ketë prioritet familjet në nevojë.
30% kërkojnë të përfshihen pensionistët dhe 20% të gjithë pa përjashtim.
Së fundmi, Gjykata e Lartë nisi shqyrtimin e vendimit që masa e arrestit me burg të jetë alternativa e fundit dhe jo e para e drejtësisë.
Shumica e shqiptarëve e mbështesin, 36% thonë se përputhet me parimet europiane të drejtësisë, 34% janë më praktikë, thonë se lehtëson ngarkesën në burgje, kurse 30% kanë dyshimin se kjo lëvizje po bëhet për të ndihmuar politikanët të cilët vitet e fundit janë shënjestra kryesore e drejtësisë së re.
Ndërkohë, sa i përket gjendjes aktuale politike, dalja në terren e kryeministrit Edi Rama në turin Punët e Shqipërisë e ka rritur Partinë Socialiste gjatë javës së fundit, me 1.3% në mbështetje, duke dalë nga niveli më i ulët i mbështetjes prej zgjedhjeve të përgjithshme të 11 majit, një jave më parë.
PD vijon me rënien rekord, duke shkuar në 21.4%. Sali Berisha është në prag të rizgjedhjes së kryetar i PD, por ngujimi në seli dhe skenarët imagjinarë për bllokim negociatash nuk po e ndihmojnë dot, madje paradoksi qëndron se sa me shpesh Berisha dhe PD dalin ne media, aq me shume elektorati i tij tkurret.
Partitë e vogla të krijuara 1 vit më parë, duket se nuk do ta kapin vitin e dytë, kurse e reja që s’po lind ende, partia që shqiptarët presin me padurim, ka shkuar në nivele 32% mbështetje të shqiptarëve që nuk duan të votojnë më as PS dhe as PD.


