Në brigjet e Paqësorit, një port nuk fle kurrë. Çdo ditë, mijëra kontejnerë nisen drejt botës. Mallra, ushqime, produkte që mbajnë në lëvizje ekonominë globale. Por mes tyre ka edhe ngarkesa që nuk deklarohen.
Në Portin e Callao-s është ndërtuar një korridor i padukshëm. Një rrugë që lidh Amerikën e Jugut me Europën. Këtu, kokaina nuk është thjesht drogë. Është industri.
Një kilogram në këtë vend mund të vlejë disa mijëra dollarë. Në Europë dhjetëra herë më shumë. Diferenca është fitimi dhe rruga është pushteti. Për vite me radhë, kartelet kontrollonin gjithçka. Por sot, një brez i ri lojtarësh ka hyrë në skenë. Rrjete më fleksibël, më të fshehta, më ndërkombëtare.
Dhe mes tyre një lidhje e papritur. Shqipëria. Hetimet zbulojnë një emër që përsëritet. Në komunikime, në takime, në dërgesa. Një njeri që nuk prodhon drogë por kontrollon rrugën e saj. Maglent Dybeli.
Kush është ai? Dhe si arriti të depërtojë në një nga nyjet më të mëdha të trafikut në botë?
LINJA NGA PERUJA
Në botën e trafikut ndërkombëtar, emrat nuk janë gjithmonë të vërtetë. Identitetet ndërrohen. Kombësitë mjegullohen.
Maglent Dybeli është një nga ata njerëz që lëviz mes kufijve, pa lënë gjurmë të qarta. Në Lima ai nuk ishte thjesht një i huaj. Ishte një ndërmjetës. Ai lidhi dy botë, prodhuesit në Amerikën Latine dhe tregun në Europë.
Por askush nuk vepron vetëm. Në terren, rrjeti mbështetej tek bashkëpunëtorët lokalë. Juan Vidal Vasquez Centeno, përgjegjës për furnizimin, Romulo Mengoni Calderon, një hallkë kyçe për maskimin. Secili kishte një rol, secili një detyrë.
Një strukturë gjysmë-hierarkike ku urdhrat nuk jepeshin gjithmonë drejtpërdrejt, por që çonin gjithmonë në të njëjtin drejtim. Europën.
Dhe për ta arritur këtë duhej një sistem i pagabueshëm. Rrjeti kriminal që drejtohej nga Maglent Dybeli arriti të vendoset në Lima dhe të veprojë nga qyteza Callao, duke përdorur portin kryesor të vendit si një platformë për transportimin e kokainës në Europë.
Një investigim i publikuar në televizionin vendas “Panorama” zbuloi se si disa organizata të huaja jo vetëm mbërritën në Peru, por edhe konsoliduan lidhjet me grupet lokale për të mbështetur një operacion ndërkombëtar trafikimi.
Në qendër të kësaj strukture ishte Maglent Dybeli. Aftësia e tij për të folur disa gjuhë të huaja, i lejoi atij të lundronte në mjedise të ndryshme dhe të koordinonte aktivitetet pa pengesa të mëdha.
Sipas investigimit, Dybeli drejtonte një rrjet që menaxhonte dërgesat e kokainës në vende si Gjermania dhe Holanda. Operacioni nuk kufizohej vetëm në transport, ai përfshinte edhe koordinim me rrjete jashtë vendit. Metoda ishte e përcaktuar mirë dhe e përsëritur.
Regjistrimet audiovizuale të mbledhura gjatë hetimeve tregojnë anëtarë të organizatës se si hap pas hapi e fshehën drogën në produktet gati për eksport.
Rrjeti nuk vepronte i vetëm. Zyra e Prokurorit Kundër Drogës në Callao dhe Drejtoria Kundër Drogës (Dirandro) konfirmuan se Dybeli punonte drejtpërdrejt me qytetarë peruanë.
Midis tyre ishin Juan Vidal Vasquez Centeno, i cili ishte përgjegjës për furnizimin me drogë dhe Romulo Mengoni Calderon, i lidhur me një histori falsifikimi dokumentesh.
Koordinimi u zhvillua në Lima. Autoritetet regjistruan takimet ku u finalizuan dërgesat. Në një nga këto takime, një anëtar shpjegonte sistemin e kamuflazhit duke përdorur kuti peshkimi, duke demonstruar nivelin e detajeve të përfshira në procedurë.
Operacionet u kryen në Callao, Comas dhe Los Olivos. Gjatë kontrolleve, u sekuestruan dhjetëra pako gati për eksport, së bashku me radio portative dhe dokumente të falsifikuara. Në rezidencën e Dybelit, autoritetet gjetën pasaporta, të dhëna dhe materiale që demonstrojnë shtrirjen ndërkombëtare të organizatës.
Pajisjet elektronike të sekuestruara ofruan informacione kyçe: komunikime të brendshme, imazhe të kontejnerëve të kontaminuar dhe gjurmë të dërgesave të mëparshme.
Në njoftimin zyrtar të shpërndarë për mediat vendase, Prokuroria e Specializuar për Trafikimin e Paligjshëm të Drogës (Fetid) të Callao-s, tha se operacioni për goditjen e këtij rrjeti ishte zhvilluar në orën 06:40 të mëngjesit të datës 20 mars 2026.
Njoftimi i Prokurorisë
Personat e arrestuar janë Romulo Mengoni, Juan Vasquez, Shirley Ibanez dhe Efraen Mendoza, të cilët dyshohet se i përkasin një grupi kriminal të udhëhequr nga Maglent Dybeli, një qytetar i Shqipërisë. Mengoni dhe Vásquez u kapën nga Policia Antidrogë në një pronë në Callao, ku u gjetën në posedim të 98 pakove në formë tulle me kokainë me origjinë nga distrikti Comas. Në një pronë të dytë, u arrestuan gjithashtu Ibanez dhe Mendoza; ata ishin të përfshirë në skemën e dyshuar për transportimin e substancave të paligjshme. Mendoza kishte qëndruar gjithashtu në Kolumbi për tre muaj për t’u koordinuar dhe për t’u siguruar që droga të mund të eksportohej nga porti kryesor. Gjatë këtij operacioni, Maglent Dybeli u identifikua si financuesi i dyshuar i bandës dhe përdorte një emër të rremë dhe pretendonte kombësi italiane. Zyra e Prokurorit Publik vazhdon të hetojë përfshirjen e shtetasve të tjerë të huaj dhe qytetarëve peruanë në këtë rast.
Bëhet fjalë për një shtetas shqiptar, të quajtur Maglent Dybeli. Një person që, sipas hetimeve, merrte urdhra nga një organizatë kriminale shqiptare e përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës, e cila dyshohet se kontrollon një pjesë të rëndësishme të rrugëve të kokainës drejt Europës.
47-vjeçari, protagonist i pamjeve të siguruara nga gazetarët vendas, rezulton të jetë një operator i nivelit të lartë, i kapur në flagrancë gjatë një operacioni të ndjekur hap pas hapi nga autoritetet.
Burri me kapele të zezë dhe mjekër, që shfaqet në këto pamje, konsiderohet përfaqësues i një organizate kriminale shqiptare që vepronte në Peru. Kamera e oficerëve të vëzhgimit e ndjek vazhdimisht. Çdo lëvizje e tij regjistrohet, çdo kontakt dokumentohet. Ai shfaqet i qetë, i sigurt dhe i vetëkontrolluar, tipare që, sipas hetuesve, karakterizojnë një figurë me përvojë në këtë aktivitet.
Këto janë imazhet e një operacioni të mirëorganizuar, që synonte identifikimin dhe goditjen e një rrjeti të dyshuar për furnizimin me kokainë të disa kryeqyteteve europiane.
Prokurori: Më thoni emrin e plotë ju lutem.
I dyshuari: Maglent Dybeli.
Prokurori: Cila është vendlindja juaj?
I dyshuari: Shqipëria.
Një dokumentar i televizionit peruan “Panorama”, ka zbuluar imazhe, fotografi, gjatë ndjekjes së një anëtari të një prej organizatave më të fuqishme kriminale shqiptare. Këto grupe kriminale kontrollojnë rrugën e drogës në Europë. Ndërsa vendi ku furnizohen është Peruja.
Policia: 6 shkurt 2026, 410 kilogramë.
Maglent Dybeli nuk konsiderohet një person i zakonshëm. Ai dyshohet se zotëron disa identitete, ka më shumë se një shtetësi dhe flet rrjedhshëm disa gjuhë: shqip, spanjisht, italisht, frëngjisht dhe gjermanisht. Një profil tipik i një ndërmjetësi të nivelit të lartë në trafikun ndërkombëtar.
Prokurori: Kemi identifikuar individë që operonin nga Porti i Callao-s, duke përfituar nga lehtësira të krijuara nga zyrtarë shtetërorë peruanë, për të eksportuar kokainë drejt Europës.
Në pamjet e siguruara brenda portit të Callao-s, një anëtar i organizatës shpjegon konkretisht mënyrën e fshehjes së drogës.
Punëtori i portit: Ne presim këtu. Kështu. Dhe këtë e marrim nga këtu, këtë këtu. Ja kjo dërrasë, ngrihet lart dhe nxjerrim gjithë pjesën e poshtme të saj këtu dhe e fusim brenda.
Një dëshmi e drejtpërdrejtë e mënyrës se si funksionon ky mekanizëm dhe e nivelit të lartë të pandëshkueshmërisë.
Historia e Maglent Dybelit ngjan me një skenar filmi për krimin e organizuar ndërkombëtar.
15 shkurt 2026, ora 19:30. Dy burra ecin në një rrugë të zonës Los Olivos. Njëri prej tyre është Dybeli. Krahas tij, një person i njohur për strukturat antidrogë: Juan Vidal Vazquez Centeno, i konsideruar si furnizues i rëndësishëm i kokainës.
Të dy shfaqen të qetë, në një bisedë të zakonshme, por sipas hetuesve, në këtë takim u arrit një marrëveshje e re për një dërgesë droge me pastërti të lartë.
Prokurori: Më dëgjoni zoti Maglent?
Maglent Dybeli: Po zotëri.
Prokurori: Ti e kupton spanjishten në mënyrë të plotë apo pjesërisht?
Maglent Dybeli: Më shumë e kuptoj, sesa e flas…
Sipas profilit të tij, Dybeli karakterizohet nga një sjellje e matur dhe e thjeshtë. Ai shmang ekspozimin, nuk mban bizhuteri dhe nuk qarkullon me shuma të mëdha parash. Jetesa në zonat periferike të Limës i kishte mundësuar të qëndronte larg vëmendjes së autoriteteve.
Në një tjetër episod, ai dhe bashkëpunëtori i tij filmohen në një supermarket. Qëndrojnë pak dhe largohen, një takim që përfundon në dukje pa rëndësi, por që është pjesë e zinxhirit të komunikimit mes tyre. Hetimet tregojnë se organizata përdorte dy metoda kryesore për kontrabandimin e kokainës: Në formën klasike të “tullave”, si dhe përmes kamuflimit në produkte deti, si peshk dhe kallamar.
Punëtori: Jemi në një lavazh makinash sot. E premte, 13 shkurt 2026. Fillojmë procesin e përgatitjes së mostrës.
Ky imazh korrespondon me përgatitjen e peshkut përpara se të kontaminohet me kokainë. Gjithçka duhet të raportohet. Kështu urdhëron shqiptari Maglent Dybeli. Në një video tjetër, shfaqet një person që futet në një ambient ku sapo ishin kontaminuar kutitë me peshk dhe kallamar, me kokainë të lëngshme, që më pas do të dërgohej jashtë vendit.
Punëtori: Të dy do të futen në këtë kuti me blloqe dhe kjo kuti ka 20. Do të kalojë këtu, në këtë kuti. Nuk ka markë, nuk ka asgjë.
Kjo është faza e fundit e këtij procesi. Në këto kuti do të fshihen mallrat e paligjshëm Në këto foto shihen blloqe të tëra, gjysmë peshk dhe gjysmë kokainë. Gjithashtu për të njëjtin qëllim përdoren edhe kallamarë gjigand ose sepje, si dërgesë për të fshehur drogën.
Prokurori: Çfarë pune bën zotëria?
Maglent Dybeli: Aktualisht nuk jam duke punuar, por kam punuar për 3 vjet e gjysmë, pak a shumë, në një biznes peshkimi.
Prokurori: Ku ndodhet ky biznes peshkimi?
Maglent Dybeli: Në Gjermani.
Por Dybeli nuk vepronte i vetëm. Në skenë shfaqen edhe bashkëpunëtorët e tij, përfshirë Romulo Mengoni Calderon, me precedent penal. Në këtë rrjet, rolet janë të ndara qartë: furnizues, transportues dhe ndërmjetës.
Prokurori: A keni precedent penal?
Romulo Mengoni Calderon: Po, pata një problem në vitin 2001. Falsifikim dokumentesh dhe biletave.
Prokurori: A jeni i dënuar?
Romulo Mengoni Calderon: Po, jam dënuar.
Në botën e drogës, gangsterët bëhen bashkë. Një investitor i huaj që dëshiron kokainë është kulmi për një koleksionist me “tulla” peruane. Vazquez Centeno dhe Mengoni Calderon janë filmuar teksa po grumbullonin kokainën nga laboratorët, ku çdo “tullë” kishte të stampuar vulën e cilësisë dhe pastërtisë. Një delfin dhe një yll.
Oficeri i Policisë: Kjo që po gjendet është në substancë e bardhë kompakte, me logon e një ylli dhe logon e një delfini. Këto janë radio portative.
Nëse paratë kanë arritur në destinacionin e tyre, kjo ishte përgjigja. Ngarkesa për në Callao fillon përmes të famshmes “Pequepeque”, që është një mjet i vogël transporti lumor, që përdoret gjerësisht në zonat e Amazonës në Peru, por që shpesh është përmendur edhe si mënyrë transporti për trafikun e drogës. Policia kishte tashmë informacione se një ngarkesë e madhe do të nisej nga Porti i Callao-s. Por kush ishte përgjegjës? Maglent Dybeli.
Ai shfaqet edhe në këtë video krah për krah me bashkëpunëtorin e tij. Ky është edhe takimi i fundit që patën. Policia tregon se gjithçka ishte bërë gati për dërgesë.
Oficeri i Policisë Pako Grajeda: Kilogrami i kokainës në Europë, sepse ajo që dihet është se do të shkonte atje, në Gjermani, në Holandë, afërsisht ka një vlerë midis 80 mijë dhe 100 mijë dollarëve.
Porti i Hamburgut në Gjermani do të ishte destinacioni kryesor. Kokaina peruane do të përfundonte atje. Organizata kriminale shqiptare do të kishte kontroll edhe në këtë destinacion, për ta shkarkuar dhe për ta ndarë. Aksione të koordinuara njëkohësisht në Callao, Comas dhe Los Olivos, sekuestruan dhjetëra e dhjetëra pako jeshile e të verdha me kokainë të pastërtisë më të lartë, gati për t’u kamufluar në kontejnerë. Por mungonte “peshku i madh”, shqiptari Maglent Dybeli.
Por Policia i shkoi në shtëpinë ku ai ishte akomoduar në Lima. Ai e hapi derën me një buzëqeshje disi nervoze. Përballja e parë e agjentëve me të ishte një mal me gënjeshtra kombësish të rreme, pasaporta false dhe një identitet të rremë.
Oficeri i Policisë Pako Grajeda: Për shkak të elementëve seriozë dhe të bazuar mirë të dënimit, konkretisht ato të gjetura në celularin e tij, ku mund të shihej gjurmueshmëria e komunikimeve me njerëz të lidhur me trafikimin, ku shihen foto të kontejnerëve dhe kutive me peshk të kontaminuar dhe enë të tjera me kallamar dhe ballafaqimit me dokumentacionin e këtyre kontejnerëve vërtetohet se kokaina do të eksportohej nga Peruja.
Kur e gjen veten të rrethuar dhe pa rrugëdalje, ose rastësisht, Maglent Dybeli harroi gjuhën spanjolle.
Oficeri i Policisë Pako Grajeda: Fillimisht ai bashkëpunoi me grupin hetimor dhe gjatë gjithë kohës me mua ka komunikuar në spanjisht. Megjithatë, më vonë ndryshoi strategjinë e mbrojtjes dhe filloi të flasë gjuhën e tij dhe këmbënguli që në çdo fazë tjetër të hetimit t’i vihej në dispozicion një përkthyes i gjuhës shqip.
Maglent Dybeli: Kam një shoqe këtu në Peru. Pikërisht këtu në Lima. Unë në të vërtetë kam hyrë nga Jugu i Perusë dhe kam ardhur në Lima për të takuar shoqen time.
SHQIPTARËT NË PERU
Maglent Dybeli nuk është shqiptari i vetëm që ka vepruar, ka ndërmjetësuar për sasi kokaine që janë trafikuar drejt Europës dhe që është arrestuar atje.
Dy operacione të zhvilluara në vitin 2022 në Peru zbuluan rolin kyç të shtetasve shqiptarë në trafikun ndërkombëtar të kokainës. Në qershor, u sekuestruan 2 ton drogë të fshehur në një ngarkesë me shparg, e menaxhuar nga dy shqiptarë. Ndërsa në shtator, një rrjet shqiptaro-italian u godit me arrestimin e Kadri Gjocit dhe mafiozit italian Pasquale Bifulco, të lidhur me “Ndrangheta”-n, duke konfirmuar bashkëpunimin mes grupeve kriminale ballkanike dhe italiane në furnizimin e Europës me kokainë nga Amerika Latine.
Më 9 qershor 2022, autoritetet peruane goditën një nga rastet më të mëdha të trafikut të kokainës drejt Europës. Një ngarkesë e deklaruar si “shparg i imët”, e nisur nga qyteti Trujillo drejt portit të Callao-s, rezultoi e kontaminuar me kokainë të lëngshme.
Operacioni u zhvillua nga Drejtoria Kundër Drogës e Policisë Kombëtare të Perusë (Dirandro), e cila sekuestroi rreth 2 ton drogë, me një vlerë të përllogaritur rreth 77 milionë dollarë në tregun europian. Sipas autoriteteve, në krye të këtij operacioni ishin dy shtetas shqiptarë, të identifikuar si: Franc Malo, i njohur me nofkën Pelao dhe Gentjan Meta, i njohur me nofkën El Barbas. Ata kishin hyrë në Peru si turistë, por në realitet dyshohet se menaxhonin financat dhe logjistikën e trafikut të kokainës drejt Europës.
Ky rast konfirmoi edhe një herë rolin e grupeve shqiptare në Amerikën Latine. Jo si struktura të armatosura si kartelet lokale, por si ndërmjetës strategjikë, që sigurojnë furnizimin me kokainë të lirë dhe organizojnë transportin drejt porteve europiane, kryesisht në vende si Holanda.
Edhe këta të dy personazhe u monitoruan me kamera 24 orë në çdo lëvizje të tyre nga oficerët e Antidrogës, gjatë takimeve që ata kishin me biznesmenë të ndryshëm peruanë, të cilët kishin pasur një historik të hershëm për çështje të trafikut të drogës.
Kjo lëndë viskoze e fiksuar në pamje, e futur brenda qindra kanaçeve, në fakt është kokainë e lëngshme me pastërtinë më të lartë e siguruar në Huallaga. Më shumë se dy tonë kokainë, që një grup kriminal shqiptar e kishte si hapin e parë të kësaj iniciative të paligjshme në Peru.
Ish – Drejtori i Antidrogës, Deny Rodríguez: Dy qytetarët shqiptarë, Franc Malo dhe Gentjan Meta, janë krahët operativë të organizatës kriminale ndërkombëtare.
Njësia Antidrogë kishte informacione se në veriun e Perusë, dy qytetarë shqiptarë, të proceduar për trafik droge, kishin kaluar kufirin nga Ekuadori, jo për të njohur plazhet e bukura të veriut. Sipas Policisë ata ishin Franc Malo dhe Gentjan Meta, anëtarë të rinj të një organizate të rrezikshme kriminale shqiptare. Ata kishin mbërritur në territorin peruan me një qëllim të vetëm, të dërgonin tonelata kokainë në Europë.
Ish – Drejtori i Antidrogës, Deny Rodríguez: Këta dy subjekte shqiptarë krijojnë mundësitë financiare dhe logjistike për të zhvilluar operacionet e trafikimit të drogës nga territori peruan.
Të njoftuar për këta dy “turistë” të drogës, Policia nisi një ndjekje milimetrike. Pak nga pak, falë një pune të përkushtuar dhe të kujdesshme, shërbimet e inteligjencës arritën të zbulojnë fytyrat e tyre. Urdhri ishte që ata të ndiqeshin në çdo vend dhe në çdo kohë, derisa oficerët e Antidrogës të jepnin dritën jeshile për nisjen e operacionit. Informacioni që kishte Antidroga ishte i saktë. Dy shtetasit shqiptar ndodheshin brenda ambienteve të një pastiçerie. I pari që shfaqet është Gentjan Meta, me nofkën El Barbas. Ai shfaqet në pamje shumë i angazhuar me celularin e tij, duke shkëmbyer vazhdimisht mesazhe. Por kamera fikson edhe dikë tjetër brenda pastiçerisë. Ai është Franc Malo, i njohur me nofkën Pelao. Që nga 18 prilli i vitit 2022, kamerat ndoqën këta dy persona dhe fiksuan Gentjan Metën, duke lëvizur nëpër qytetin e Trujillo-s, gjithnjë me celular në dorë. Ai duket vigjilent, e ndjen se po ndiqej dhe po filmohej.
Një tjetër takim filmohet nga kamerat e Policisë. Të njëjtët personazhe duket sikur po planifikojnë diçka shumë të madhe. Nuk kaloi shumë kohë derisa u konfirmua se përse këta të dy persona ndodheshin në Peru.
Ish – Drejtori i Antidrogës, Deny Rodríguez: Këto takime që bënin këta persona lidheshin me diskutimet për problemet e trafikut të drogës në nivel ndërkombëtar.
Kamerat vazhdojnë të regjistrojnë dhe fiksojnë Gentjan Metën që zbret nga një “Mercedes” luksoz i bardhë. Nga verifikimi i targës së makinës, rezulton se pronari i saj është Ismael Verde Jimenez Manrique, i cili shfaqet në të njëjtin vend. Për Njësinë Antidrogë ai është një personazh i njohur, me një të shkuar të lidhur me trafikun e drogës.
Ish – Drejtori i Antidrogës, Deny Rodríguez: Jimenez Manrique, është pronari i “Fresh Trade”. Një kompani që ishte përgjegjëse për të përgatitur të gjithë dokumentacionin që kokaina të kamuflohej në shparg dhe të dilte jashtë Perusë. Në këtë rast destinacioni ishte Porti i Roterdamit.
I njëjti person shfaqet me dy shqiptarët në hotelin ku ata ishin akomoduar në Trujillo. Madje në një tjetër video, shtetasi peruan shfaqet duke festuar dhe kërcyer në një ambient ku kamera fikson një personazh vendas të njohur për autoritetet. Ai është Ronny Walter Silva Leon .Shfaqja e këtyre dy personazheve plotëson tablonë e plotë të strukturës kriminale që bashkëpunon me dy shtetasit shqiptarë.
Ish – Drejtori i Antidrogës, Deny Rodríguez: Kjo organizatë është e ndarë në dy krahë shumë të rëndësishëm. Krahu operativ dhe produktiv i drogës, që drejtohej nga peruani i njohur, Ronny Walter Silva Leon. Dhe në të njëjtën mënyrë ishte e lidhur edhe me krahun tjetër, që merrej me përpunimin e dokumentacionit dhe procedurat e eksportimit të drogës përmes produktit të konservuar.
Organizata shqiptare kishte si qëllim vendosjen në Peru dhe kontrollimin e dy porteve kryesore, atë të Paita-s dhe Callao-s. Më pas trafikimin e drogës, përmes kompanisë së frutave. Por shqiptarët kishin edhe një afat për të bërë të mundur trafikimin e kokainës. Në qershor të vitit 2022, porosia u realizua menjëherë.
Ish – Drejtori i Antidrogës, Deny Rodríguez: Droga në Huallaga kushton 500 deri në 700 dollarë për kilogram. Çmimi i saj në Lima shkon deri në 1300 dollarë. Vazhdimisht çmimi vijon të rritet deri në port. Ndërsa mbërritja në destinacion, në këtë rast në Europë, çmimi vazhdon të rritet duke nisur nga 40 mijë dollarë.
Më 9 korrik të vitit 2022, një trajler i mbushur me kanaçe me shparg të konservuar, të kontaminuar me kokainë, u nis nga qytetit i Trujillo-s në drejtim të Portit të Callao-s, pa pasur dijeni se Antidroga kishte ndjekur nga afër të gjitha lëvizjet. Të gjitha konservat që u bllokuan kanë logon “Fresh Trade”.
Ish – Drejtori i Antidrogës, Deny Rodríguez: Me 2.2 tonë kokainë që u sekuestrua në vendin tonë, kemi arritur t’i shkaktojmë një dëm ekonomik organizatës kriminale, në afërsisht 77 milionë dollarë.
Në përfundim të operacionit, u arrestuan 2 shqiptarë dhe 6 peruanë. Ndërsa biznesmeni, në pronësi të të cilit ishte kompania “Frash Trede”, arriti të arratisej. Rruga që nisej nga Trujillo, në Portin e Callao-s e përfundonte në Portin e Roterdamit, mori një goditje të fortë. Njësia Antidrogë në Peru, nuk e përjashtoi mundësinë që edhe anëtarë të tjerë të kësaj organizate kriminale vazhdonin të vepronin sërish aty.
Vetëm tre muaj më vonë, më 9 shtator 2022, një tjetër operacion i rëndësishëm goditi një rrjet të përbashkët shqiptaro-italian në Peru. Në një vilë luksoze në zonën ekskluzive të Casuarinas, autoritetet arrestuan Kadri Gjocin, një 28-vjeçar nga Burreli, i dyshuar si pjesë e kartelit të ashtuquajtur “Ballkanik”. Sipas hetimeve, Gjoci ishte i lidhur ngushtë me “Ndrangheta”, një nga organizatat më të fuqishme kriminale në Europë, që kontrollon një pjesë të madhe të trafikut të kokainës.
Në një operacion paralel në zonën Miraflores, u arrestua edhe italiani Pasquale Bifulco, një emër i njohur për autoritetet, i përfshirë më herët në trafik droge drejt Italisë. Sipas Policisë peruane, rrjeti shqiptaro-italian siguronte kokainë nga Peruja, organizonte transportin e saj drejt Europës dhe kishte arritur të dërgonte deri në 2.5 ton drogë drejt portit të Hamburgut në Gjermani.
Ajo që trafikantët nuk dinin ishte se e gjithë ngarkesa ishte nën vëzhgim nga autoritetet, të cilat ndërhynë për të goditur rrjetin dhe për të zbuluar lidhje të tjera të tij.
Vëzhgimet në terren, filmimet dhe fotografimet e Njësisë Antidrogë në Peru, fiksuan dy shtetas europianë, me nacionalitete të ndryshme. Nga dy organizata të fuqishme të narkotrafikut. Ata u bënë bashkë në Peru.
Ish – Drejtori i Antidrogës, Deny Rodríguez: Janë shtetas të huaj, një italian, një shqiptar dhe gjithashtu turq që jetojnë në Gjermani.
Këta persona, kanë mbërritur në Peru, duke koordinuar, planifikuar dhe duke zhvilluar strategjinë se si mund të transportojnë tonelata kokainë në drejtim të Europës. Antidroga i kishte identifikuar, por ata nuk vepronin vetëm. Një personazh i njohur për Policinë vendase, ishte pika kyçe në strukturën e kësaj organizate kriminale.
Në pamje të parë duken si turistë që shëtisin në Lima dhe në disa qytete në veri të vendit. Por në të vërtetë ata udhëheqin disa rrjete në Amerikën e Jugut, që i përkasin dy organizatave të fuqishme kriminale, italiane dhe shqiptare.
Informacioni që kishte Antidroga i çoi direkt tek ky personazh, që në botën e kokainës e njohin si “Tajson”. Por kush është ky person që lëvizte me makina luksoze dhe jetonte në një vilë miliona dollarëshe, në Las Cuasarinas?
Vëzhgimi i “Tajson” përfundoi pikërisht këtu, në vilën e tij ekskluzive. Këtu jetonte Wellington Mauro Sanchez Garsia, i njohur si “Tajson”. Ai bënte një jetë luksoze, të ngjashme më atë që bëjnë kapot e karteleve të drogës.
Sipas Antidrogës, “Tajson” filloi aktivitetin e tij të kokainës në xhunglën e Huallaga-s. Hap pas hapi ai u rrit në këtë botë derisa arriti të kishte flotën e tij të avionëve “Cessna”. Rrugët e tij kryesore të trafikut ishin Brazili, Kolumbia dhe Bolivia. Bashkëpunimi me organizatat kriminale në Europë, i hapi rrugë të reja, më të mëdha dhe më të rëndësishme. Në këtë formë ai u kthye në një “peshk të madh” të kokainës në Peru.
Mbajtja nën mbikëqyrje e tij dhe filmimet e takimeve që ai zhvillonte, e çuan Antidrogën drejt zbulimit të dy shtetasve të huaj, një italiani dhe një shqiptari. Ata nuk kishin si qëllim vetëm ta njihnin, objektivi i tyre ishte të trafikonin tonelata me kokainë në Gjermani dhe Itali.
Në këtë video shfaqet “Tajson” duke biseduar pranë një qytetari shqiptar, Robert Suloti, drejtues i një organizate të fuqishme kriminale. Ata shfaqen duke konsumuar kafe si sipas hetimeve janë duke biseduar për dërgesën e radhës. Pasi fiksoi imazhin e Robert Sulotit, Antidroga filloi ndjekjen e tij hap pas hapi, derisa u finalizoi operacioni “Poseidon”, që çoi në arrestimin e këtyre të dy personave.
Ata shfaqen në një supermarket duke bërë blerje, por në fakt qëllimi i tyre ishte tjetër. Ata janë dy shtetas shqiptarë. Njëri prej tyre, Kadri Gjoci dhe tjetri Mamo Espitare.
Ish – Drejtori i Antidrogës, Deny Rodríguez: Këta persona kishin si qëllim sigurimin e drogës dhe trafikimin drejt Europës.
Informacionet që kishte Policia, tregonin se këta tre persona, dy shqiptarët, Kadri Gjoci dhe Mamo Espitare, bashkë me “Tajson”, po “gatuanin” diçka shumë të madhe. Por përveç tyre ishte edhe një personazh tjetër. Ishte vetëm çështje kohe për të plotësohej panorama e plotë.
Derisa një kamera e agjentëve fiksoi të gjithë tablonë, pasi u shfaq pjesa që mungonte. Në pamje shfaqen duke ecur në këmbë në Costa Verde, Mamo Espitare dhe shtetasi italian.
Ish – Drejtori i Antidrogës, Deny Rodríguez: Ai është Pasquale Bifulco. Një personazh që kemi proceduar edhe në vitin 2014, si organizator i një dërgese që u nis nga Brazili në drejtim të Europës. Ai u arrestua në atë kohë dhe u vendos në dispozicion drejtësisë Peruane.
Por megjithatë, edhe pse konsiderohej si një person i rëndësishëm, Pasquale Bifulco, pa e kuptuar askush kishte fituar lirinë në vitin 2016. Megjithatë, radari i DEA-s dhe Antidrogës së Perusë, e kishte pikasur sërish. Ai ishte një njeri i rëndësishëm, kishte një rol kyç dhe kishte shumë kontakte në Peru por edhe në vende të tjera të Amerikës së Jugut. Hetimet kishin zbuluar se shtetasi italian kishte shumë biznese në fusha të ndryshme, përmes të cilave pastronte paratë e drogës.
Që nga momenti i identifikimit, Antidroga në Peru nuk humbi asnjë hap të këtyre 5 personazheve. Operacionit “Poseidon”, iu hap drita jeshile dhe nisi goditja e bazave të tyre, duke ndërhyrë në mënyrë të koordinuar më 2 shtator 2022.
Në këtë shtëpi në Calera Surquillo jetonin shqiptarët. Ajo nuk shërbente vetëm për të jetuar, por edhe si depo për drogën, që u gjet aty nga Policia. Edhe ky furgon u sekuestrua, pasi kishte informacione se brenda tij ishte fshehur një sasi e madhe kokaine. Aty u gjetën 150 pako me kokainë.
Në total u kontrolluan 9 shtëpi, ku u gjetën armë, drogë, automjete dhe objekte të tjera të jashtëligjshme. Në përfundim u arrestuan italiani Pasquale Bifulco dhe shqiptari Kadri Gjoci.
Furnizuesi peruan, “Tajson” dhe dy qytetarët e tjerë shqiptarë, Robert Sulotit dhe Mamo Espitare ia dolën të arratisen dhe nuk u arrestuan. Një javë para këtij operacioni ata besonin se kishin arritur të trafikonin në Europë kokainën, e cila në fakt ishte zbuluar dhe në Portin e Callao-s dhe ishte në monitorim nga Policia e Perusë dhe ajo e Gjermanisë.
Ish – Drejtori i Antidrogës, Deny Rodríguez: Droga mbërriti në Gjermani dhe në Holandë, aty ku u ndërhy duke u arrestuar një shtetas turk me banim në Gjermani.
Nga ky operacion u sekuestrua në total një sasi prej 2.5 tonë kokainë me pastërtinë më të lartë.
Ironikisht, drejtori i Antidrogës në Peru, Deny Rodriguez, i cili drejtoi dy operacionet e vitit 2022, ishte pjesë e një hetimi në vitin 2024. Një ekip prokurorësh në Lima nisi hetimet për gjeneralin Rodriguez, që në atë kishte dalë në pension, për një lidhje të dyshuar me agjentë të luftës kundër narkotikëve që bashkëpunonin me kartelet e drogës. Drejtuesit e lartë të Prokurorisë në Lima siguruan raporte të brendshme dhe të kundërzbulimit që lidhnin krerët e bazave antidrogë në Loreto me klanet e trafikimit të drogës.
Në qershor 2023, arrestimi i agjentëve të Antidrogës u bë publik, përfshirë nënoficerin José Ríos Dávila , i cili, për shkak të pozicionit të tij në Drejtorinë Kundër Drogës, për vite me radhë kishte ndarë informacione konfidenciale me grupe të krimit të organizuar, që vepronin në Kufirin e Trefishtë, Peru, Kolumbi dhe Brazil. Por një raport tjetër e thelloi edhe më shumë skandalin. Në të thuhej se një ish-drejtues i Antidrogës në Peru, gjenerali Deny Rodríguez Bardales, katër oficerë dhe një nënoficer nga njësitë Antidrogë në Lima dhe Loreto dyshohet se ishin të lidhur me agjentët e arrestuar në qershor të vitit 2023. Megjithatë, mediat vendase që arritën ta kontaktonin, bënë publike edhe një deklaratë të tij, ku ai shprehej se hetimet e kishin gjetur të pafajshëm.
PERANDORIA LATINO-AMERIKANE
Peruja nuk është e vetme. Ajo është vetëm një pjesë e një harte shumë më të madhe.
Një hartë që shtrihet në të gjithë Amerikën e Jugut dhe që lidh plantacionet e kokainës me rrugët e Evropës.
Për vite me radhë, ky territor ka qenë nën kontrollin e karteleve. Por sot duket se loja ka ndryshuar. Sepse mes tyre janë futur aktorë të rinj.
Më të heshtur, më fleksibël, më të rrezikshëm. Rrjete që nuk kanë territor, por kontrollojnë rrugën.
Në Ekuador portet janë kthyer në pika kyçe të trafikut ndërkombëtar, këtu, grupet me lidhje shqiptare nuk janë të dukshme. Por janë të pranishme.
Ata nuk kultivojnë drogë, nuk drejtojnë kartelë, por negociojnë, koordinojnë dhe organizojnë. Në qytete si Guayaquil marrëveshjet bëhen në heshtje. Dhe shpesh edhe nga brenda burgjeve. Sepse në këtë botë, edhe pas hekurave kontrolli nuk humbet.
Në Kolumbia fillon gjithçka. Këtu prodhohet kokaina dhe këtu vendoset çmimi. Shqiptarët nuk janë turistë as në këtë treg. Ata hyjnë direkt në negociata. Ballë për ballë me kartelet. Marrëveshje që përcaktojnë rrugën e tonelatave drogë.
Por kjo botë ka një rregull të vetëm: Besimi është i përkohshëm. Dhe tradhtia është fatale. Për këtë arsye, vrasjet nuk janë përjashtim. Janë pjesë e sistemit.
Në Brazili rrjeti gjen një dalje tjetër. Portet e mëdha të Atlantikut hapin një korridor alternativ. Kur presioni rritet në një vend, trafiku zhvendoset në një tjetër. Është një sistem që përshtatet. Një rrjet që nuk ndalet.
Nga Peruja, në Ekuador, në Kolumbi, në Brazil, madje ka pasur raste edhe në Bolivi e Paraguaj. Modeli është i njëjtë. Lidhje të shpërndara, role të ndara dhe një objektiv i vetëm: Europa.
Hetimet ndërkombëtare tregojnë një realitet të ri. Grupet kriminale nuk janë më struktura të izoluara. Janë rrjete të lidhura globalisht. Dhe në këtë rrjet shqiptarët janë bërë një hallkë kyçe.
Jo për forcë, por për organizim. Ata nuk kontrollojnë tokën. Nuk kontrollojnë prodhimin. Por kontrollojnë diçka shumë më të rëndësishme. Rrugën.
Dhe në trafikun global të kokainës rruga është gjithçka. Nga Andet, në portet e Atlantikut, deri në magazinat e Europës zinxhiri është i njëjtë.
Një sistem pa kufij. Një rrjet që ndryshon formë por jo qëllim.
Sepse ndërsa një grup goditet, një tjetër e zëvendëson. Dhe ndërsa autoritetet ndjekin gjurmët, trafiku vazhdon.
Kjo nuk është historia e një njeriu. As e një grupi. Është historia e një epoke të re të krimit të organizuar. Një epokë ku kufijtë nuk kanë më rëndësi.
Dhe ku rrjetet janë gjithmonë një hap përpara.


