Ukraina ka rimarrë kontrollin e 480 km katrorë territori në pjesët juglindore dhe lindore të frontit që nga fundi i janarit, tha shefi i ushtrisë së saj Oleksandr Syrskyi, duke shtuar se Rusia po vazhdonte ofensivën e saj pranverore.
Pas vizitës në vijën e frontit, Syrskyi theksoi se Ukraina kishte rimarrë kontrollin mbi tetë vendbanime në rajonin e Dnipropetrovskit në lindje dhe katër vendbanime në rajonin juglindor të Zaporizhzhisë.
Pavarësisht sukseseve të Ukrainës, trupat ruse po vazhdonin me një ofensivë pranverore, ka shtuar ai.
“Trupat ruse nuk po i braktisin planet e tyre për operacione të mëtejshme ofensive dhe po riorganizojnë forcat dhe pajisjet e tyre të disponueshme”, ka thënë Syrskyi në aplikacionin Telegram të dielën vonë.
Sipas tij, “pavarësisht humbjeve të konsiderueshme në personel dhe pajisje ushtarake, pushtuesit synojnë të pushtojnë më shumë territor ukrainas dhe të krijojnë një ‘zonë tampon’ në rajonin e Dnipropetrovskit”.
Megjithatë, trupat ukrainase ruajtën linjat mbrojtëse, ka bërë të ditur ai.
Siç kujtojnë mediat e huaja, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha javën e kaluar se situata në vijën e frontit për Ukrainën ishte më e mira që nga mesi i vitit të kaluar.


