Historia e 68-vjeçarit Dan Simpson, një shpërndarës picash në SHBA, është bërë virale dhe ka prekur mijëra njerëz, pasi një akt i thjeshtë mirësie i ndryshoi jetën. Ai mori mbi 40,000 dollarë bakshish përmes një fushate online, vetëm sepse bëri diçka që për të ishte krejt normale: ndihmoi një klient.
Ngjarja ndodhi më 27 mars, kur Simpson po dorëzonte një picë për një klient, por piceria nuk kishte më pijen e gazuar që klienti kishte porositur. Pa hezituar, ai ndaloi në një dyqan ushqimesh dhe e bleu vetë pijen për klientin.
Klienti, Brian Wilson, nuk kishte para për bakshish në atë moment dhe i kërkoi falje, madje ofroi të telefononte picerinë, por Simpson refuzoi. Ai thjesht i tha se nuk kishte problem dhe u largua.
Por ajo që Simpson nuk e dinte ishte se Wilson dhe bashkëshortja e tij kanë probleme me shikimin dhe për ta një dalje e vogël për të blerë diçka nuk është e lehtë. Gjesti i shpërndarësit i preku shumë dhe ai vendosi të hapë një fushatë në GoFundMe për ta ndihmuar Simpson, me synimin për të mbledhur 45,000 dollarë në tetë ditë.
Videoja e momentit u bë virale në TikTok, duke marrë qindra mijëra shikime, dhe donacionet kaluan shumë shpejt 40,000 dollarë.Simpson, i cili do të dalë në pension më 30 prill dhe ka pasur vështirësi financiare, tregoi se gjithmonë është përpjekur të ndihmojë njerëzit. Ai rrëfeu edhe se në të kaluarën kishte pasur probleme me alkoolin dhe kishte kaluar kohë në burg për drejtim mjeti në gjendje të dehur, por më pas ndryshoi jetën, u kthye në shkollë dhe punoi për vite të tëra për të ndërtuar një jetë të ndershme. “Gjithmonë jam përpjekur të jem një njeri i mirë dhe të ndihmoj të tjerët, sepse e di si është kur nuk je mirë,” tha ai.
Edhe pse tani ka marrë një ndihmë të madhe financiare, Simpson thotë se do të vazhdojë të shpërndajë pica edhe pas pensionit. Ai shpreson që me paratë e mbledhura të bëjë një udhëtim për të parë sekuojat gjigante në Kaliforni – një ëndërr që nuk e kishte realizuar kurrë./abcnews.al


