Në Gjykatën Themelore të Prishtinës ka nisur këtë të premte shqyrtimi gjyqësor ndaj të akuzuarës për spiunazh, Jelena Gjukanoviç.
Edhe sot para trupit gjykues ajo u deklarua e pafajshme për veprën penale për të cilën akuzohet. Gjukanoviç, shtetase serbe dhe ish-punonjëse e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dyshohet se ka qenë e përfshirë në aktivitete spiunazhi në bashkëpunim me një person tjetër, i cili gjithashtu është nën hetim nga autoritetet.
Ekzistojnë dyshime se ajo ka bashkëpunuar me Agjencinë Serbe të Sigurisë dhe Inteligjencës (BIA). E akuzuara për spiunazh, Jelena Gjukanoviç edhe në seancën e shtatorit të vitit të kaluar nuk e kishte pranuar fajësinë në gjykimin fillestar i cili ishte mbajtur në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Gjukanoviç u arrestua më 28 shkurt 2025 në pikën kufitare në Jarinje, dhe që atëherë ndodhet në paraburgim.
/abcnews.al/


