Sëmundja virale afta epizootike, e cila ka prekur një numër të lartë bagëtish në Qipro e në shtetin fqinj, ka vënë në lëvizje autoritetet bujqësore në qarkun e Gjirokastrës për marrjen e masave parandaluese.
Ndonëse nuk kemi asnjë rast të regjistruar të kësaj sëmundjeje, mjekët veterinerë thonë se blegtorët nuk duhet të neglizhojnë këtë rast.
Ekspertët thonë se afta epizootike nuk transmetohet te njerëzit, por pasojat ekonomike janë të konsiderueshme, pasi shkakton ulje të prodhimit të qumështit, dobësim të bagëtive dhe në raste të rënda edhe ngordhjen e tyre.
Ndërkohë, institucionet përgjegjëse kanë shtuar masat parandaluese, duke përfshirë sensibilizimin e fermerëve, rritjen e kontrolleve në terren, si dhe monitorimin në pikat kufitare, veçanërisht në doganën e Kakavijës.
Në rast të konstatimit të rasteve të dyshuara, bagëtitë e prekura do të vendosen në karantinë për një periudhë 21-ditore, nën mbikëqyrjen e specialistëve përkatës.
Në qarkun e Gjirokastrës numërohen mbi 220 mijë krerë bagëti të imta dhe rreth 11 mijë gjedhë, çka e bën edhe më të rëndësishme marrjen e masave për parandalimin e përhapjes së kësaj sëmundjeje.


