Po flasim për një përgatitore. Tifozët në stadiumin e Shtutgartit ndoshta nuk u kënaqën plotësisht nga yjet e tyre, por gjithsesi Gjermania e trajnerit Julian Nagelsman ia doli ta mundte Ganën 2-1, në një nga provat për fazën finale të Kupës së Botës.
Në një sfidë që “teutonët” e dominuan, golat u shënuan nga Kai Haverc në minutën e tretë shtesë të pjesës së parë dhe nga Deniz Undav dy minuta para fundit për Gjermaninë, dhe nga Abdul Fatavu për afrikanët në 70’.
Publiku u mrekullua nga goli I shënuar nga Undav, që solli fitoren kur shpresohej gjithnjë e më pak, për më tepër që ai luan për Shtutgartin vendas.
Gjithsesi, siç thekson sërish e përditshmja “Bild”, një pjesë e tifozëve sollën shqetësim kur vërshëllyen Leroi Sanenë që hyri në fushë në vend të ish-lojtarit të Shtutgartit, Voltemade.
Kjo ishte fitorja e shtatë radhazi e ekipit të drejtuar nga trajneri Julian Nagelsman, që nga humbja e pësuar në Sllovaki me shifrat 2-0 në shtator të vitit të kaluar.
Golaverazhi në këto fitore është 22-5.
Gjermania pati epërsi të dukshme me 65 për qind mbajtje topi dhe me 19 gjuajtje në total, nga të cilat 4 në kuadrat.
Gana, nga ana tjetër, pati vetëm një goditje brenda shtyllave të portës së mbrojtur nga portieri Aleksandër Nybel.


