AUSTRI- Qeveria e Austrisë njoftoi sot planet për të ndaluar përdorimin e rrjeteve sociale nga fëmijët nën moshën 14 vjeç, duke iu bashkuar një numri në rritje shtetesh që po vendosin kufizime për përdoruesit e rinj.
Sipas Alexander Pröll, zyrtari përgjegjës për digjitalizimin në zyrën e kancelarit Christian Stocker, një projektligj pritet të hartohet deri në fund të muajit qershor.
Ai theksoi se do të përdoren metoda moderne teknologjike për verifikimin e moshës, të cilat lejojnë konfirmimin e identitetit pa cenuar privatësinë e përdoruesve.
Ende nuk është e qartë se kur mund të hyjë në fuqi masa, e cila kërkon miratim parlamentar. Nisma austriake vjen në një kohë kur disa vende të tjera kanë ndërmarrë hapa të ngjashëm.
Australia ishte pioniere në vitin 2024, duke u bërë shteti i parë që përjashtoi fëmijët nën 16 vjeç nga rrjetet sociale, me synimin për t’i mbrojtur nga përmbajtjet e dëmshme dhe përdorimi i tepërt i ekraneve.
Një ndalim i ngjashëm në Indonezi pritet të hyjë në fuqi së shpejti. Në Evropë, ligjvënësit në Francë kanë miratuar një ligj që ndalon rrjetet sociale për fëmijët nën 15 vjeç, i cili pritet të zbatohet në fillim të vitit të ri shkollor në shtator.
Ndërkohë, Spanja ka shpallur planin për një ndalim të rrjeteve sociale për fëmijët nën 16 vjeç, ndërsa Danimarka ka arritur marrëveshje për kufizime për të rinjtë nën 15 vjeç.
Qeveria e Britanise së Madhe ka bërë të ditur se po shqyrton masa të ngjashme.
Koalicioni qeverisës me tre parti në Austri e cilëson këtë hap si një masë të domosdoshme për mbrojtjen e të rinjve.
Përveç ndalimit, qeveria planifikon gjithashtu të forcojë edukimin në shkolla për përdorimin e medieve dhe përballjen me inteligjencën artificiale, si pjesë e një strategjie më të gjerë për sigurinë digjitale të brezave të rinj/abcnews.al


