Gjykata e Posaçme ka shtyrë për në datën 2 prill vendimin për kërkesën e bërë nga Argita e Jamarbër Malltezit, vajzës dhe dhëndrit të ish-kryeministrit Sali Berisha, për lirimin e 25 pasurive të sekuestruara më herët nga SPAK për llogari të dosjes “Partizani”.
Shtyrja e vendimit erdhi për shkak se Prokuroria e Posaçme kërkoi kohë për të paraqitur pretendimet e saj lidhur me kërkesën e Malltezit.
Kjo është e disata herë që Malltezi i drejtohet gjykatës për të liruar pasuritë.
Më heret më 16 Janar, Argita dhe Jamarëbër Malltezit iu rrëzua një tjetër kërkesë nga Gjykata e Apelit të Posaçëm për lirimin e këtyre pasurive.
Pasuritë e familjarëve të ish-kryeministrit Berisha u bllokuan me vendim të gjykatës në tetor 2023 në të njëjtën kohë kur ndaj Jamarbër Malltezit u caktua masa e sigurisë “arrest në burg”, masë që e vuajti një muaj, derisa ndryshoi në masë më të butë.
Mes pasurive të sekuestruara janë 16 apartamente, disa llogari bankare dhe kuotat e tij në disa shoqëri tregtare.
Dosja për aferën Partizani kaloi për gjykim më 19 maj. Berisha do të gjykohet për akuzën e korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë pasi akuzohet se, në cilësinë e kryeministrit, ka ndërmarrë veprime konkrete në miratim ligjesh dhe aktesh nënligjore, ku përfitues ishte edhe dhëndri i tij.
Edhe Jamarbër Malltezi është nën akuzë për korrupsion por edhe për pastrim parash. Sipas SPAK, ai ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij./abcnews.alKër


