Hawaii po përballet me përmbytjet më të këqija në më shumë se 20 vjet dhe autoritetet kanë urdhëruar banorët në zonat më të prekura, që të largohen menjëherë.
Ky paralajmërim erdhi herët në mëngjes të shtunën, pas reshjeve të dendura që ranë mbi tokën tashmë ‘të ngopur’ nga një stuhi dimërore një javë më parë, dhe pritej që reshje të tjera të binin gjatë fundjavës.
Ujërat e përmbytjes, mbushur me baltë, kanë përfshirë pjesë të mëdha të North Shore, vend i njohur për valë të mëdha, ku bëhet edhe sërf. Ujërat e furishme morën përpara shtëpi dhe makina, dhe urdhrat e evakuimit u dhanë për 5,500 njerëz në veriperëndim të Honolulusë. Autoritetet paralajmëruan se një digë e vjetër 120-vjeçare mund të dështojë.
“Rruga e mbetur për të dalë nga Waialua është në rrezik të lartë, nëse reshjet vazhdojnë”, thuhet në një emergjencë.
Në ishullin Maui, autoritetet ngritën një këshillim evakuimi, teksa kishte edhe një paralajmërim për disa zona të Lahainas, që ende po përpiqet të rimëkëmbet nga zjarri vdekjeprurës i vitit 2023, për shkak të rezervuarëve që po afrohen në kapacitetin e tyre maksimal.
Banorët e North Shore të Oahut që nuk u evakuan u ndihmuan në mëngjes nga uji që po tërhiqej dhe disa momente me qiell të kthjellët, por reshje të tjera priten të bien.
“Ende nuk është koha për qetësi të plotë ”, tha Tina Stall, meteorologe e Shërbimit Kombëtar të Motit në Honolulu. “Ka ende mundësi që situate nga përmbytjet të përkeqësohet”.
Racquel Achiu, një fermere nga Waialua që qëndroi për t’u kujdesur për bagëtinë, gjeti dhitë e saj në ujë deri në gju të enjten, dhe një orë më vonë, shtatë qentë e familjes ishin në rrezik mbytjeje. I nipi dhe dhëndri i saj shpëtuan kafshët, teksa ishin në ujë, që shkonte deri në nivelin e gjoksit. “Kokët e qenve të mi dilnin vetëm pak mbi ujë,” tha Achiu. “Ishte aq ujë, nuk mund ta përshkruaj dot.”
Guvernatori Josh Green tha se kostot e stuhisë mund të arrijnë mbi 1 miliard dollarë, duke përfshirë dëmet në aeroporte, shkolla, rrugë, shtëpi dhe një spital në Kula të Maui-t.
“Kjo do të ketë pasoja shumë serioze për ne si shtet,” tha Green gjatë një konference për shtyp. Ai gjithashtu tha se shefi i tij i stafit kishte folur me Shtëpinë e Bardhë dhe kishte marrë premtime për mbështetje federale. Green tha se përmbytjet janë më seriozet që prej vitit 2004, kur shumë shtëpi dhe një bibliotekë e Universitetit të Hawaiit u përmbytën.
Dhjetëra, ndoshta qindra shtëpi janë dëmtuar, por autoritetet ende nuk kanë vlerësuar plotësisht dëmet e shkatërrimit.
Shkak për disa nga shkatërrimet ishte sasia e madhe e reshjeve që ra në një kohë të shkurtër mbi tokën tashmë të ngopur. Pjesë të Oahut kishin 20 deri 30 cm shi, tha Shërbimi Kombëtar i Motit. Mbi 200 persona u shpëtuan teksa rrezikonin mbytjen, por nuk raportohet për viktima dhe askush nuk konsiderohet i zhdukur. Ekipet e shpëtimit kërkuan nga ajri e nga uji për persona të bllokuar.
Sistemet e stuhisë dimërore të njohura si “Kona lows”, që sjellin erëra jugore ose jugperëndimore me ajër të mbushur me lagështi, kanë qenë përgjegjëse për reshjet e mëdha gjatë dy javëve të fundit. Intensiteti dhe frekuenca e reshjeve të dendura në Hawaii janë rritur për shkak të ngrohjes globale të shkaktuar nga njeriu.


