Përtej monumenteve dhe artefakteve që pasqyrojnë një metropol të lashtësisë si Apollonia, ky i fundit “fsheh” nëntokë të dhëna që detyrojnë studiuesit ta rishkruajnë historinë e tij. I tillë është libri i fundit i arkeologut Bashkim Vrekaj, një punim shkencor që vulos me prova dhe të dhëna historike çështje të debatuara si themelimi i qytetit, sistemi shoqëror dhe politik.
I përshkruar me detaje, libri mbi Apoloninë e Ilirisë është si një kthim pas në kohë, mbi 2000 vjet më parë, kur lulëzoi një nga qytetet më të mëdha të rajonit që arkeologët e krahasojnë me Pompein e Romës.
I rekomanduar zyrtarisht nga Ministria e Arsimit për sistemin parauniversitar, “Historia e Apollonisë së Ilirisë” nga Bashkim Vrekaj ishte objekt i një diskutimi mes arkeologësh dhe studiuesish në Muzeun Historik të Fierit. Një punim shkencor i vlefshëm për studiuesit, por edhe për lexuesin e zakonshëm.
Çështje të debatuara si data e saktë e themelimit të Apolonisë, vendndodhja e Nimfeut dhe sistemi i skllavërisë provohen me fakte dhe burime historike nga Vrekaj. Kështu, pas zbulimeve të fundit, Apollonia rezulton të jetë themeluar njëkohësisht me Dyrrahun.
Për autorin Vrekaj, Apolonia është një jetë e tërë studimi shkencor. Është një qytet që të lejon të hulumtosh, duke e pasqyruar me detaje stilin e jetesës së banorëve të tij. Një qytet me peshë të madhe politike dhe që gumëzhinte nga zërat e fëmijëve.
Bashkim Vrekaj është autor i disa punimeve shkencore me temë Apolloninë./abcnews.al


