Besimtarë të shumtë u mblodhën në selinë e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane në Tiranë këtë të diel për të festuar Sulltan Nevruzin, ditëlindjen e Imam Aliut.
Nevruz vjen nga persishtja dhe do të thotë ditë e re, ndërsa Sulltan titulli I lartë që tregon rëndësinë e kësaj dite.
Besimtarët e lidhin me rigjallërimin e natyrës e shpresës për një të ardhme më të mirë.
Kryegjyshi botëror I bektashinjeve Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj apeloi për më shumë harmoni mes njëri tjetrit dhe solli në vëmendje se ky vit përkon me një moment historik për besimin.
“Kjo ditë është një mundësi për të reflektuar mbi virtytet që na udhëheqin. Për të forcuar lidhjen tonë me Zotin, për të kultivuar dashurinë dhe respektin ndaj njëri-tjetrit. Ky vit ka një domethënie të veçantë për Kryegjyshatën Botërore Bektashiane, pasi kjo ditë përkon me 35 vjetorin e rihapjes së Kryegjyshatës dhe lirisë së besimit Bektashi.
Një moment historik që shënon ringjalljen e besimit dhe traditës sonë shpirtërore pas periudhave të vështira. Kjo ngjarje është dëshmi e qëndrueshmërisë dhe punës së përbashkët të brezave, për të ruajtur identitetin dhe vlerat tona. Siç thoshte Haxhi Bektash Veliu ‘ai që nuk e sheh veten në tjetrin, nuk e sheh Zotin në veten e tij’. Kjo tregon se dashuria dhe përkujdesja ndaj të tjerëve, janë pasqyra e besimit tonë të thellë”, tha Kryegjyshi Botëror I Bektashinjve, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj.
Mesazhe paqe ndau dhe Presidenti I Republikës Bajram Begaj pas vizitës në Kryegjyshatë.


