Skiatori britanik, Gabriel Gledhill e shndërroi garën prestigjioze të 50 kilometrave të Oslosnë një “dolli të fundit” për karrierën e tij, duke e vrapuar pjesën më të madhe të pistës nën ndikimin e alkoolit, pasi kishte pranuar dhjetëra pije nga turma.
23-vjeçari, i cili përballet me dëbimin nga Norvegjia deri më 28 mars për shkak se nuk e ka rinovuar lejen e qëndrimit, vendosi t’i thoshte lamtumirën kësaj gare, duke u ndalur disa herë në anë të pistës për të konsumuar rreth dymbëdhjetë birra dhe disa gota pije alkoolike.
Pavarësisht të përzierave në stomak dhe shpesh herë skijimit me “zig zag”, Gledhill arriti ta përfundonte garën në vendin e 67-të, duke kaluar vijën e finishit përkrah kolegëve të tij në garën femërore, të cilat ishin nisur 45 minuta me vonesë.
“Ishte argëtuese, fillova me birrë dhe shnapps që në xhiron e tretë; ndoshta është gara ime e fundit këtu, më është dashur të pranoj çdo ofertë”, u shpreh skiatori anglez pas garës.
Gara e 23 vjeçarit anglez, që përziente gëzimin dhe dëshpërimin për shkak të të ardhurave të pamjaftueshme për të garantuar qëndrimin e tij në Lillehammer, me shumë gjasa shënon daljen e detyruar në pension të një talenti të cilin Federata Ndërkombëtare megjithatë donte ta nderonte për shpirtin e tij jokonvencional.


