Më shumë se 290 mijë fëmijë janë zhvendosur me forcë në Liban vetëm në dy javë, sipas të dhënave të fundit të Ministrisë së Çështjeve Sociale të vendit.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, 850 persona janë vrarë në vend, mes të cilëve 103 fëmijë. Fëmijët mbahen pas kafshëve të tyre shtëpiake dhe lodrave të dashura ndërsa largohen nga shtëpitë për shkak të përshkallëzimit të konfliktit, i cili po ndërpret edhe aksesin në kujdesin mjekësor jetik, përfshirë për fëmijët e vegjël dhe gratë shtatzëna.
Të paktën kështu deklaron këtë të hënë “Save the Children”, organizata që prej mbi 100 vitesh punon për të shpëtuar fëmijët në rrezik dhe për t’u garantuar një të ardhme.
Punonjësit e saj raportojnë se familjet kanë ikur duke marrë vetëm gjërat më të domosdoshme, shpesh pa patur kohë për të marrë dokumentet, rrobat apo ilaçet. Disa fëmijë kanë refuzuar të lënë pas kafshët shtëpiake dhe lodrat e preferuara.
Ndërkohë, aksesi në kujdesin mjekësor bazë është ndërprerë. Shumë persona nuk mund të marrin trajtime të rregullta dialize apo terapi onkologjike. Në një rast, një grua u detyrua të lindte në makinë për shkak të trafikut të paralizuar në rrugët e Bejrutit gjatë arratisjes.
Mbi 130 mijë persona janë strehuar në shkolla të mbipopulluara, të përshtatura si strehimore kolektive, dhe në stadiume sportive në Bejrut. Më shumë se 50 persona ndajnë një banjë të vetme, me akses minimal në kuzhina dhe pa ngrohje apo batanije, në dimrin e ftohtë. Familjet tregojnë se flenë në dysheme, me pak privatësi.
Rreth 118 mijë e 590 persona kanë hyrë në Siri nga Libani që prej 2 marsit, ndërsa “Save the Children”, raporton për prindër të detyruar të braktisin familjarë dhe njerëz të bllokuar në postblloqet kufitare.
Sipas Kombeve të Bashkuara, deri në 3.2 milionë persona janë zhvendosur në Iran dhe rreth 1 mijë e 700 afganë çdo ditë po kthehen në Afganistan nga Irani që prej fillimit të armiqësive.


