Çfarë po ndodh me këtë skuadër? Dinamo, një nga emrat e mëdhenj të futbollit shqiptar, ka ecurinë e një ekipi që do të bjerë nga kategoria, edhe pse ishte cilësuar pretendent për titull.
Blutë e kryeqytetit, fitues të Kupës së Shqipërisë sezonin e kaluar, fitues të Superkupës këtë vit, dhe eliminues të Hajdukut të shquar të Splitit në Ligën e Konferencës në verë, po shkon nga disfata në disfatë, dhe për garë për titull as nuk bëhet fjalë.
Ndaj Teutës, edhe pse u luajt në “Arenën Air Albania” u pësua humbja e radhës, ndonëse minimale 1-0.
I riu i durrsakëve Ergis Arifi ishte autor i golit të vetëm, në një përballje ku dinamovitët fillimisht bënë më shumë, por që ranë ndjeshëm pasi pësuan rrjetën.
Ishte humbja e pestë në 10 ndeshjet e fundit, nga të cilat është fituar vetëm një.
Pra, e mbiquajtura “nëndetësja” ka vetëm një sukses në Superligë që nga 23 dhjetori, ndërsa ndaj Teutës nuk ka fituar asnjë nga tri sfidat e luajtura deri tani.
Nuk po bën punë as trajneri me shumë emër e përvojë, Ilir Daja, dhe as emrat në përbërje të ekipit.
Partizani ndërkaq e ndaloi vrapimin duke u ndalur në barazim 2-2 në Vorë.
Gjithsesi, ashtu siç shkoi ndeshja, të kuqtë duhet të jenë të kënaqur me pikën sepse luajtën me 10 lojtarë që nga minuta e fundit deri në të pestën shtesë kur barazuan.
Vora, e rrezikuar për rënie nga kategoria kaloi në epërsi deri në 2-0, fillimisht në 43’ kur realizoi Luis Filipe dhe në 45’+2 goditi edhe Çibuike.
Kur arbitri u bë gati të dërgonte ekipet në pushim, Dumbia ngushtoi shifrat për miqtë.
Fundi ishte me tensione e protesta.
Dumbia u përjashtua në 90’, ndërsa në minutën e pestë shtesë, Çibuike shkaktoi autogol.
Pas 28 javësh, Partizani është I katërti me 43 pikë, Dinamo e pesta me 39 dhe Teuta e gjashta me 37 pikë.
Vora mbetet në vendin e 8-të me vetëm 27 pikë.


