Sukses i madh në fushë dhe në votime. Barcelona pati një ditë të madhe në Spanjë dhe në rajonin e saj autonom të Katalonjës, duke ruajtur të fortë kreun e renditjes së La Ligës, e duke i dhënë fund me sukses procesit të zgjedhjes së presidentit.
Në stadiumin e famshëm “Kamp Nou”, që sot mban edhe emrin Spotifaj për arsye sponsorizimi, ekipi “blaugrana” shkatërroi Seviljen 5-2, duke iu përgjigjur Realit që kishte fituar 4-1 ndaj Elçes një ditë më parë.
Diferenca në krye të kampionatit mbetet 4 pikë.
Rafinja shënoi 3 gola, dy prej të cilëve me penallti, dhe vendasit luajtën më mirë sesa seviljanët në një duel jo edhe aq të lehtë.
Dani Olmo dhe Zhoao Kanselo ishin autorët e dy rrjetave të tjera, ndërsa rivalët ngushtuan dy herë shifrat, me gola nga Oso e Sou.
Ishte një festë e vërtetë, dhe një epërsi e qartë, e duket se Barcelona e trajnerit Hansi Flik ka fituar ekuilibrin dhe përvojën e duhur në garën për titull me madrilenët.
Jo më kot, triumfi 5-2 u arrit me Lamin Jamalin në stol, e që luajti vetëm 22 minuta.
Ndërkaq, fitorja tjetër e thellë ishte ajo e presidentit Zhoan Laporta, në garën e radhës për kreun e klubit.
Fitoi mbi 67 për qind të votave, në një sukses siç thuhet plebishitar ndaj rivalit Font.
“El Mundo Deportivo” ka titullin “Goleadat”, dhe kjo për fitoren në fushë të katalanasve dhe për fitoren e Laportës në zgjedhjet për presidenti!
Edhe e përditshmja tjetër barceloniste “Sport” ka thuajse të njëjtin titull: Me goleadë! Laporta fitoren zgjedhjet e Barçës! Rafinja me hatrik!
Laporta ka besim se Barcelona do të jetë gjithnjë e më e fortë, ndërsa ekipi kryeson La Lgën me 70 pikë ndaj 66 të Realit, kur duhen edhe 10 javë deri në përfundim.


