Mund të ketë ndodhur edhe padrejtësi, por kjo skuadër po alarmon. Interi padyshim që ka të drejtë të pretendojë dhe të akuzojë arbitrin Manganielo për barazimin 1-1 ndaj Atalantës në Serinë A, edhe pse nuk mund ta fshehë se po kalon një moment të vështirë.
Pavarësisht përpjekjeve, avantazhit të hershëm me golin nga Pio Espozito, dhe disa rasteve më pas, zikaltërit duken tepër të lodhur, e madje duket sikur kanë humbur sigurinë.
Gjithsesi, ndeshja në “San Siro” ishte nga ato që meritojnë polemika të shumta. Atalanta barazoi tetë minuta para fundit, por vetëm pasi Sulemana pati një duel me mbrojtësin Damfris.
Ndoshta ai ia humbi ekuilibrin holandezit, ndërsa Krstoviç realizoi për 1-1.
Momenti i dytë ishte një pretendim për penallti në minutën e 86-të. Pamjet me përsëritje tregojnë goditje të lojtarit bergamask ndaj Fratezit, por arbitri nuk sinjalizoi asgjë.
Trajneri Kivu protestoi ashpër dhe u përjashtua madje që pas golit të miqve, ndërsa klubi lombard vendosi heshtje për shtyp.
“La Gazeta delo Sport” komenton: Inter I tërbuar! Frenon edhe ndaj DEA-s, arbitri në shënjestër! Akuza për golin e Krstoviçit, pretendohet penallti!
E njëjta foto në kopertinë për “Il Korriere delo Sportin”, që gjykon se Interi u dëmtua dy herë, në golin e Atalantës dhe në kontaktin mes Skalvinit dhe Fratezit në zonë.
Zikaltërit kryesojnë Serinë A me 68 pikë, por Milani mund të arrijë në 63 nëse fiton sonte ndaj Lacios në stadiumin “Olimpiko” të Romës.
Në fushë ishte edhe kapiteni I kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti, që luajti titullar dhe deri në fund për Atalantën, por që e pati të vështirë e që duket se nuk është në formën më të mirë.


