Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres deklaroi se duhet të ketë bisedime diplomatike për t’i dhënë fund luftës që ka shpërthyer në Liban që nga fillimi i marsit midis Izraelit dhe Hezbollahut.
Sulmet ajrore dhe operacionet tokësore të Izraelit në Liban kanë vrarë të paktën 826 persona, përfshirë 106 fëmijë. Gjithashtu kanë zhvendosur me forcë më shumë se 830,000 civilë që nga fillimi i muajit, sipas shifrave të fundit zyrtare të publikuara.
“Nuk ka zgjidhje ushtarake, vetëm diplomaci e dialog”, tha Guterres gjatë një konference për shtyp në Bejrut, duke theksuar se duhen përpjekje për të siguruar “një deeskalim të menjëhershëm dhe ndërprerje të armiqësive”.
Ai i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare të forcojë angazhimin e saj ndaj shtetit libanez.
“Mbështetni shtetin libanez dhe forcat e armatosura libaneze” në mënyrë që ato të kenë “aftësitë dhe burimet e nevojshme”, tha ai.


