Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, deklaroi se Irani ka reaguar ndaj përshkallëzimit të konfliktit me lëshimin e raketave balistike dhe raketave me rreze të shkurtër drejt bazave amerikane dhe izraelite.
Sipas tij, deri tani Teherani ka përdorur rreth 2 mijë dronë “Shahid”, një armë e vështirë për t’u neutralizuar për shkak të kostos së ulët dhe prodhimit të shpejtë. Hoxha theksoi se përplasja ka pasur si objektiv edhe goditjen e institucioneve kyçe të Iranit, përfshirë Gardën Revolucionare, ndërsa tensionet kanë prekur edhe vendet e Gjirit.
Ai paralajmëroi se konflikti po ka ndikim të ndjeshëm në ekonominë globale, duke nxjerrë nga tregu rreth 10 milionë fuçi naftë dhe duke rritur çmimin e saj deri në 100 dollarë për fuçi. Sipas ministrit, kjo situatë pritet të ketë pasoja edhe për Shqipërinë, e cila ka shprehur që në fillim mbështetje për SHBA-në dhe Izraelin.
“Irani ka reaguar me raketa balistike dhe raketa me rreze të shkurtër ndaj bazave amerikane dhe ato izraelite. Irani ka lëshuar deri tani 2 mijë dronë “Shahid” që janë raketat më të forta dhe është arma më problematike sepse prodhohet shumë shpejt dhe lirë dhe eliminimi i tyre është shumë i kushtueshëm.
Që nga fillimi i përshkallëzimit, misioni strategjik ka qenë eliminimi i regjimit të Iranit. Por, janë sulmuar institucione kyçe, siç është edhe Garda Revolucionare. Edhe pse vendet e Gjirit nuk janë pjesë e konfliktit, janë gjendur në kushte të sulmeve të vazhdueshme. Strategjia e luftës së Iranit është e dyfishtë. Strategjia e Iranit është rritja e kostove të SHBA dhe vendeve të tjera. Lufta ka kosto të konsideruara në ekonominë globale.
10 milionë fuçi naftë janë tashmë jashtë tregut. Çmimi i naftës ka shkuar në çmimin më të lartë, në 100 dollarë, e cila lidhet me Ngushticën e Hormuzit, ku kalon 20% e naftës globale. Kjo kosto prek edhe Shqipërinë. Qëndrimi i Shqipërisë ndaj përshkallëzimit, Shqipëria ka shprehur mbështetjen ndaj SHBA dhe Izraelit. Kjo është bërë publike që në krye të herës nga kryeministri i Shqipërisë”, tha ministri Hoxha.


