Asnjë ndryshim plani: “Botërori 2026” do të zhvillohet sipas programit të paracaktuar nga data 11 qershor deri në 19 korrik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë.
Lufta në Iran dhe përhapja e saj në të gjithë Gjirin Persik ka ngritur shumë pikëpyetje, duke ndezur edhe sinjalet e alarmit në FIFA.
Për këtë arsye, me anë të presidentit të saj Gianni Infantino, qeveria botërore e futbollit ka kërkuar siguri nga presidenti amerikan Donald Trump.
Takimi në Shtëpinë e Bardhë I ka dhënë këto siguri, që Infantino i ka bërë publike për të gjithë në një postim në Instagram
“U takova me Presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald J. Trump, për të diskutuar gjendjen e përgatitjeve për Kupën e Botës që do të zhvillohet së shpejti. Entuziazmi është në rritje, ndërsa do të fillojmë pas vetëm 93 ditësh.
Të gjithë kemi nevojë për një ngjarje si Kupa e Botës, për t’i bashkuar njerëzit tani më shumë se kurrë”, shkruan në postimin e tij presidenti i FIFA.
Një tjetër temë e diskutuar mes Infantino dhe Trump lidhet me Iranin dhe dyshimet e shumta mbi pjesmarrjen e tij në finalet e Kupës së Botës si një nga skuadrat e kualifikuara.
Sipas presidentit të FIFA, ai ka marrë siguri nga presidenti amerikan “se kombëtarja iraniane do të jetë e mirëpritur”.
Ndërkohë, FIFA duket se është lehtësuar edhe për një problem tjetër, madje që kërkonte zgjidhje më të shpejtë. Bëhet fjalë për “Finalissima”, sfida mes kampiones së botës Argjentinës dhe asaj të Europës, Spanjës, në program më 27 mars në Doha. Autoritetet e Katarit kanë dhënë siguri, ndërsa kanë njoftuar rinisjen e aktiviteteve sportive, të cilat u ndërprenë pas sulmeve iraniane në Gjirin Persik.
Lajme të mirë, por asgjë nuk është e sigurtë në kohë lufte.


