TIRANË– Dhomat e Bashkuara të Gjykatës së Lartë pritet të marrin një vendim unifikues në prill, pas kërkesës së kreut të Gjykatës së Lartë, që të rishqyrtohen praktikat aktuale të gjykatave shqiptare, të cilat, me kërkesë të prokurorive, vendosin kryesisht t’i lënë në qeli apo arrest shtëpie shumicën e të pandehurve.
Nëse Gjykata e Lartë do marrë këtë vendim, shumë të paraburgosur mund të fitojnë lirinë dhe të gjykohen kështu deri në marrjen e vendimit të formës së prerë.
Analisti Arben Meçe, i ftuar në emisionin “Real Story” u shpreh se Këshilli i Evropës ka ngritur shqetësimin për numrin e të paraburgosurve në Shqipëri, dhe kjo kambanë alarmi tha ai duhet adresuar.
Ai theksoi se kur është prodhuar mekanizmi i reformës në drejtësi, numri i të paraburgosurve është rritur. Ai theksoi se me këtë akt u krijua një prokurori euforike
“Tre instancat kryesore të të drejtave të njeriut në Evropë kanë ngritur këtë shqetësim. KE, i shqetësuar për të paraburgosurit në Shqipëri. A duhet që Shqipëria ta diskutojë dhe të marrë masat për ta parandaluar?
Evropa po ngrihet dhe po thotë se po shkelni të drejtat e njeriut. Kur u prodhua mekanizmi i reformës në drejtësi, është rritur masa e paraburgimit shumë, ka ndryshuar Kodi Penal, ka ndryshuar Kodi i Procedurës Penale? Jo.
Në të gjithë së bashku prodhuam një institucion euforik, që quhet prokurori. Në opinionin publik duhej të krijohej perceptimi që kjo strukturë po punon, merr e fut brenda dhe prodhuan këta individë, jo sistemi i drejtësisë. Evropa ka thënë se 58% janë të paraburgosur. Evropa merret me të drejtat e njeriut në Shqipëri”, tha ai.
Ai u shpreh se Gjykata e Lartë është i vetmi institucion, që ka kompetencë për të adresuar zgjidhjen e çështjeve të paraburgimit dhe kjo praktikë duhet të vihet në zbatim.
Kush janë institucionet që duhet të bëjnë korrigjimin? I vetmi institucioni që ka kompetencë, që të prodhojë praktikë, është Gjykata e Lartë. Praktikat unifikuese i ka vetëm Gjykata e Lartë. Është e vonuar, por shyqyr që po e bëjnë”, tha ai./abcnews.al


