BRITANI E MADHE- Rreth 10 mijë autorë publikuan një libër “bosh” sot në Britani për të protestuar ndaj kompanive të inteligjencës artificiale që përdorin punën e tyre pa leje.
Media britanike “The Guardian”, shkruan se libri i titulluar “Mos e vidhni këtë libër” (Don’t Steal This Book), përmban vetëm një listë me emrat e shkrimtarëve dhe kopjet po shpërndahen në një panair libri në Londër.
Në kopertinën e tij të pasme thuhet: “Qeveria e Britanisë nuk duhet të legalizojë vjedhjen e librave për të përfituar kompanitë e inteligjencës artificiale”.
Publikimi i librit vjen një javë para se qeveria e Britanisë të publikojë një vlerësim ekonomik të ndryshimeve të propozuara në ligjin e të drejtës së autorit.
Organizatori i librit, Ed Newton-Rex tha se industria e inteligjencës artificiale është “ndërtuar mbi punën e vjedhur… të marrë pa leje ose pagesë”.
“Ky nuk është një krim pa viktima, inteligjenca artificiale gjeneruese konkurron me njerëzit, për punën e të cilëve është trajnuar, duke i grabitur ata nga mjetet e tyre të jetesës. Qeveria duhet të mbrojë krijuesit e Mbretërisë së Bashkuar dhe të refuzojë të legalizojë vjedhjen e punës krijuese nga kompanitë e inteligjencës artificiale”, tha ai.
Artistët britanikë janë veçanërisht të indinjuar nga një propozim kryesor i qeverisë në konsultime, i cili u lejon kompanive të inteligjencës artificiale të përdorin vepra të mbrojtura nga të drejtat e autorit pa lejen e pronarit./abcnews.al


