I ftuar në emisionin “News Line” në ABC News, analisti Eduard Zaloshnja theksoi se shqiptarët e kanë ende të freskët në kujtesë sulmin e rëndë kibernetik të ndërmarrë nga Irani ndaj institucioneve shqiptare, çka sipas tij ka rritur ndjeshmërinë e opinionit publik ndaj këtij shteti. Megjithatë, ai tha se një sondazh i fundit tregon se shumica dërrmuese e qytetarëve nuk besojnë se konflikti në Iran mund të shtrihet deri në Europë.
“Shqiptarët e mbajnë mend shumë mirë që shteti iranian bëri një sulm shumë të rëndë kibernetik në vendin tonë. Prandaj dhe vëmendja është më e madhe. Përkundër pritshmërive të mia si sondazhist, rezultoi që 80% e shqiptarëve menduan që lufta në Iran nuk do të shtrihet deri në Europë”, tha Zaloshnja.
Nga ana tjetër, eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare Ledion Krisafi vlerësoi se perceptimi i qytetarëve është realist, duke theksuar se mundësia që Shqipëria të goditet me raketa nga Irani është pothuajse zero, për shkak të distancës dhe sistemeve të shumta të mbrojtjes ajrore që do të duhej të kalonin. Ai shtoi se rreziku i vetëm potencial mund të lidhet me veprime të izoluara, si përdorimi i dronëve nga individë brenda territorit.
Ledion Krisafi: Përshtypja e shumicës së shqiptarëve është shumë e saktë. Mundësi që një raketë irnaiane të vijë në Shqipëri është 0. Sistemet mbrojtëse në Lindjen e Mesme do e bënin të pamundur që raketa të vijë në Shqipëri, sepse duhet të kalojë pesë sistemet e mbrojtjes ajrore më të mirë në botë. Një arsye tjetër është që Irani raketat dhe dronët duan që t’i vendosin në vende shumë strategjike. Muxhahedinët në Manzë nuk janë një pikë strategjike për Iranin. E vetmja gjë që mund të kishte element rreziku në Shqipëri, është etëm nëse një person brenda Shqipërisë mund të bëjë një dron. Jemi në kushtet ku kapacitetet e Irani kanë rënë jashtëzakonisht shumë. Mundësi që Shqipëria të goditet është shumë e vogël dhe mundësi që lufta të dalë jashtë Lindjes së Mesme është po ashtu shumë e vogël. Muxhahedinët ishin shkaku i sulmit kibernetik nga Irani.
Eduard Zaloshnja: Rreziku kibernetik nuk është një rrezik që mund të kuptohet nga qyteti i zakonshëm. Faktikisht kur patën sulmin kiberenetik, e cila ishte një kundërpërgjigje e sulmeve kibernetike të Muxhahedinëve këtu në Manëz. Të mos harrojmë që dolën të dhënat shumë personale të njerëzve. Kjo pjesë e popullsisë e cila është më e informuar e kupton që ne nuk do na vijnë raketa nga Irani, ama jemi të ekspozuar. Pjesa më e arsimuar e popullsisë e di që ne jemi të ekspozuar për shkak të Muxhahedinë, nëse nuk do të ishin ata Irani as që nuk do e dinte që ne ekzistojmë./abcnews.al


