TIRANË- Kryeministri i vendit, Edi Rama, i kërkoi sot SPAK-ut të nisë hetimin për privatizimin e katër hidrocentraleve gjatë qeverisjes së Sali Berisha.
Ai deklaroi se nëse Prokuroria e Posaçme dëshiron të luftojë korrupsionin, duhet të hetojë privatizimin e hidrocentraleve: Hidrocentrali i Shkopetit, Hidrocentrali i Ulzës, Hidrocentrali i Bistrica 1 dhe Bistrica 2.
Gazetari Fatos Mahmutaj, i ftuar në “Ora e Fundit” u shpreh se privatizimit i hidrocentraleve u bë në vitin 2013, kohë që përkon me humbjen e zgjedhjeve të Partisë Demokratike. Ai tha se këto hidrocentrale u janë dhënë njerëzve të afërt, dhe biznesmenëve që janë pranë familjes së ish-kryeministrit Sali Berisha.
“Bëhet fjalë për privatizimin e katër hidrocentraleve të parë, që i ka bërë Berisha në fund të mandatit të tij. Në 2013, kur Berisha humbi zgjedhjet, qeveria e tij vendosi t’i privatizojë, ua fali njerëzve pranë familjes së tij, biznesmenëve të preferuar të tij”, tha ai.
Sipas gazetarit, kryeministri Edi Rama me të drejt kërkon nga SPAK që të hetojë këto vepra dhe të faktojë abuzimet. Më tej, Mahmutaju shpreh se Sali Berisha duhet të ishte me kohë në burg, pasi është personi, i cili ka konsumuar të gjitha veprat e rënda penale.
“Kryeministri Rama me të drejtë kërkon që djersa, gjaku, prona e shqiptarëve nuk mund të përdoren dhe nuk mund të hidhen në këtë formë në xhepat e biznesmenëve të Berishës, Kryeministri me të drejtë kërkon hetimin. SPAK është i kapur nga familja e Berishës. Berishës i janë faktuar vrasje, vjedhje dhe shantazhet.
Ai i ka konsumuar të gjitha veprat e rënda penale. Ai duhet të ishte me kohë në burg, për trafikun ndërkombëtar, për thyerjen embargos me ish-Jugosllavinë. Ushqeu makinerinë e ushtrisë serbe ku shkaktuan luftërat e të gjithë Ballkanit dhe janë ato dhjetëra mijëra viktima në Kosovë. Ai duhet të ishte me kohë dhe me vakt në burg, dhe jo të livadhiste”, theksoi ai./abcnews.al


