FIER- Një profesion të mirëpaguar dhe të kërkuar në tregun e punës, veçanërisht për Myzeqenë. Kjo është ajo që ofron shkolla e mesme profesionale “Rakip Kryeziu” në Fier për nxënësit nga i gjithë vendi.
Me agronomi, veterinari, teknologji ushqimore dhe disa profile te tjera të lidhura me sektorin e bujqësisë quhet edhe shkollë bujqësore. Në një territor të gjerë në periferi të Fierit, mësimi, praktika dhe autonomia financiare këtu janë një cikël i mbyllur.
Teknologji ushqimore është profili më i ri që ofrohet pranë kësaj shkolle. Një profesion për të cilin ka mungesë në tregun e punës dhe një standard që duhet plotësuar si pjesë e procesit të anëtarësimit europian.
Bursat, hapja e degëve të reja, infrastruktura e shkollës, e kompletuar për procesin e mësimit dhe praktikës, kanë çuar në shtim të numrit të nxënësve vitet e fundit.
Megjithëse me profil bujqësor, shkolla frekuentohet nga shumë vajza, madje disa prej nënësve ndjekin mësimet në degë si vëterinaria, një profil që deri disa vite më parë, preferohej në masë nga djemtë.
Për mësuesen Anila Gero, dashuria për natyrën, e kombinuar me dijen, ka prodhuar ndër dekada, specialistët që I duheshin vendit dhe Myzeqesë.
Shkolla e mesme profesionale “Rakip Kryeziu” ofron bursa për vajzat që ndjekin degët e veterinarisë, teknologjisë ushqimore dhe profile të tjera bujqësore. Themeluar në vitet ‘50, ka statusin e shkollës kombëtare dhe mund ta frekuentojnë nxënës nga i gjithë vendi./abcnews.al


