TIRANË-Prokuroria e Posaçme, përmes analizës së komunikimeve të zhvilluara në aplikacionin e koduar Sky ECC, ka arritur të zbardhë vrasjen e Gentjan Qarri dhe Bledar Birçaj, ngjarje të rënda kriminale të ndodhura në vitin 2021, si edhe një rrjet të trafikut të kokainës që operonte në Vlorë.
Në kuadër të këtij hetimi, Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka lëshuar urdhër-arrest për Inez Hajrulla, i njohur si një nga personazhet e fortë të Vlorës, si dhe për mikun e tij Ervis Matodashaj.
Gjatë operacionit policor u kryen kontrolle edhe në bazën e dyshuar të Hajrullës në zonën Uji i Ftohtë në Vlorë. Pallati u rrethua nga rreth 10 autoblindë dhe zona u monitorua me dronë, por efektivët nuk arritën të gjenin gjurmë të tij. Edhe Matodashaj arriti t’i shpëtojë operacionit, ndërsa dyshohet se ai mund të ndodhet ende në Shqipëri dhe të mos ketë kaluar kufirin.
Operacioni çoi gjithashtu në arrestimin e dy personave nga radhët e policisë. Në pranga përfundoi punonjësi i policisë Rezart Kuçi, aktualisht shef seksioni në policinë shkencore në Kukës. Ai akuzohet për shpërdorim detyre, trafik droge dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.
Po ashtu u arrestua në Zvicër ish-polici Hamëz Demushi.
Sipas SPAK, nga analiza e komunikimeve rezulton se Inez Hajrulla dhe Ervis Matodashaj, në bashkëpunim me persona të tjerë ende të paidentifikuar në këtë fazë të hetimit, kanë ndërmarrë një sërë veprimesh të qëllimshme për të realizuar vrasjen e Bledar Birçaj.
Sipas hetimeve, ata kanë siguruar kushtet për kryerjen e krimit duke përdorur mjete teknike, si kamera survejimi, si dhe kanë vëzhguar lokalin “The Boss”, në pronësi të Birçajt, për të monitoruar vazhdimisht lëvizjet, oraret dhe personat me të cilët ai shoqërohej. Po ashtu, rezulton se ata kishin hartuar një plan konkret për mënyrën dhe vendin e ekzekutimit.
Kujtojmë se Bledar Birçaj u ekzekutua më 10 maj 2021 në lagjen Hajro Çakërri në Vlorë. /abcnews.al


