Kryeministri Edi Rama ka inspektuar këtë të shtunë rrugën Librazhd-Prrenjës.
I pranishëm, ishte edhe Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi. Gjatë fjalës së tij, ministri Karakaçi ka deklaruar se janë marrë të gjitha masat për të garantuar qarkullimin normal të mjeteve, përfshirë edhe ato me tonazh të rëndë.
Ai u shpreh se situata krijoi shqetësim tek banorët e zonës, por siguroi se institucionet po punojnë për të rikthyer sa më shpejt normalitetin në qarkullim.
“Së pari, e di që banorëve u është krijuar shqetësim, por ajo që unë garantoj është marrja e të gjitha masave për të vijuar sa më shpejt qarkullimin normal,” u shpreh ministri.
Karakaçi theksoi gjithashtu se punimet në Korridorin VIII po vijojnë në të gjitha fazat dhe se nuk ka pasur asnjë ndërprerje të tyre.
“Ndërkohë korridori i VIII ka ecuri në të gjitha fazat dhe nuk ka pasur asnjë ndalesë të punimeve. Gjithë ky korridor do jetë siç e shihni në daljen e Elbasanit, Vetëm ky aks këtu do ketë ndalesë deri sa ARSHH të bëjë edhe rrugën sekondare. Ajo që garantoj janë se të gjitha segmentet e tjera të ecin normalisht”, tha ai.


