Kjo javë nuk solli ndryshim, por gara mbetet e fortë. Basketbolli amerikan ka kaq shumë yje, dhe jo më kot është liga më e fortë e botës, por megjithatë për çmimin më të rëndësishëm individual në garë janë praktikisht vetëm dy.
Shej Gilgës Aleksandër dhe Nikola Jokiç. Asnjëri prej tyre amerikan, pasi Shej është nga Kanadaja, një vend që presidenti Tramp nuk e ka shumë me qejf këto kohë, ndërsa Jokiç nga Ballkani, nga Serbia.
Siç informon vetë faqja zyrtare e NBA-së, diferenca e tyre me ndjekësit është e ndjeshme. Shej ka kohë që kryeson, dhe ka qenë vendimtar që kur u kthye nga dëmtimi. Ka shënuar shumë, dhe ka arritur vetëm fitore, madje edhe ndaj rivalëve për titull si Denver, Klivlend apo Lejkërs.
Ylli kryesor i Oklahomës kampione ka 31.6 pikë për ndeshje, duke qenë shënuesi i dytë më i mirë i sezonit pas sllovenit Doncic, po ashtu edhe në saktësinë në gjuajtje.
Jokiç padyshim që vazhdon sezonin e madh, edhe pse Denver sikur e ka tradhëtuar disi.
Skuadra nga Kolorado ka humbur 7 nga 12 ndeshjet e fundit, edhe pse me rivalitet dhe ka zbritur në vendin e pesë të Konferencën e Perëndimit, ku Oklahoma kryeson.
Gjithsesi, Jokiç cilësohet si basketbollisti me ndikimin më të madh në NBA, dhe jo më kot është me mesatare tripëll dabëlli.
Mesataren për ndeshje këtë sezon të rregullt e ka 28.6 pikë, 12.6 topa në tabela dhe 10.4 asistë. Për topat në tabela është numri 1 në ligë, po ashtu edhe për tripëll dabëlla me 23 të tilla.
I duhen edhe 10 tripëll dabëlla në 19 ndeshje të mbetura që të thyejë rekordin e Rasëll Uestbrukut në një edicion, si dhe I duhen edhe 21 në karrierë për të thyer rekordin e NBA-së që e mban po Uestbruk. Pas tyre, në renditjen për çmimin e lojtarit të vitit janë Kaningem I Detroitit, Uembaniama I San Antonios, Braun I Bostonit dhe Doncic I Lejkërsave


