Lufta në Lindjen e Mesme e nisur nga sulmet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Izraelit ndaj Iranit po shkon drejt një përshkallëzimi të rrezikshëm.
Pasi dy dronë iranianë goditën këtë të enjte Azerbajxhanin, ky shtet i cili njihet si aleat i Izraelit në Lindjen e Mesme është zotuar për hakmarrje ndaj Teheranit, ndërsa mbylli pjesën jugore të hapësirës së tyre ajrore.
Sulmet e vazhdueshme nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli, i cili deklaroi mbrëmjen e kësaj të enjteje se kanë nisur një tjetër valë goditjesh ndaj Teheranit, nuk po e ndalojnë Iranin të sulmojë vendet e Gjirit.
Katari njoftoi se ka rrëzuar mbrëmjen e kësaj të enjteje dy avionë bombardues të Iranit, të cilët po synonin të godisnin bazën amerikane Al Udeid, baza më e madhe ushtarake e Shteteve të Bashkuara në Lindjen e Mesme.
Kërcënimi nga sulmet iraniane bëri që Shtetet e Bashkuara të njoftonin mbylljen e përkohshme të ambasadës së tyre të dytë në rajon, atë të Kuvajtit.
Teksa lufta vijon të trondisë Lindjen e Mesme, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi në një prononcim për Axios se ai kërkon të jetë pjesë e përzgjedhjes së liderit të ri të Iranit, ashtu siç bëri me Venezuelën. Kreu i Shtëpisë së Bardhë u shpreh se djali i Khameneit, Mojtoba, i përfolur si pasardhësi i mundshëm i Ajatollah Khameneit, nuk do të ishte një opsion i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Washingtoni duket se po përballet me sfida të rëndësishme ushtarake sa i përket rrëzimit të dronëve iranianë. Presidenti ukrainas Volodymir Zelensky deklaroi se Shtetet e Bashkuara i kishin kërkuar ndihmë Kievit që të ndihmojë në rrëzimin e dronëve iranianë Shahed, dronë këta që kërcënojnë dhe kanë goditur shtetet aleate të Shteteve të Bashkuara. Zelensky deklaroi se një ekip i specializuar do të ndihmojë vendet e Gjirit me mbrojtjen e tyre nga sulmet me dronë të Iranit.


