Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orbán, ka kërcënuar se do të përdorë të drejtën e vetos për të bllokuar rinovimin e sanksioneve individuale të Bashkimit Evropian ndaj Rusisë.
Përveç debatit për kredinë prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën dhe paketën e 20 të sanksioneve kundër Moskës, Budapesti po vendos në pikëpyetje edhe zgjatjen e masave ndëshkuese ndaj individëve dhe entiteteve ruse të vendosura që nga fillimi i agresionit rus ndaj Ukrainës.
Aktualisht, më shumë se 2 mijë e 700 individë dhe organizata ruse ndodhen në listën e zezë të BE-së, përfshirë presidentin Vladimir Putin dhe ministrin e Jashtëm Sergey Lavrov.
Këto sanksione duhet të rinovohen çdo gjashtë muaj dhe afati i radhës përfundon më 15 mars. Normalisht kjo konsiderohet një procedurë formale, por situata këtë herë është tensionuar.
Sipas burimeve diplomatike, ambasadorët e 27 vendeve anëtare të BE-së kanë zhvilluar një diskutim të tensionuar për shkak të kërcënimit me veto nga Hungaria. Një burim konfirmoi se të paktën një delegacion kundërshton rinovimin e sanksioneve.
Orbán ka deklaruar se Hungaria nuk do të lejojë miratimin e vendimeve që favorizojnë Ukrainën derisa të rifillojnë furnizimet me naftë ruse përmes naftësjellësit Druzhba. Ky tubacion kalon edhe përmes Ukrainës, ndërsa segmenti ukrainas është dëmtuar pas një bombardimi rus.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm hungarez, Péter Szijjártó, ndodhej dje në Kremlin, ku kërkoi nga presidenti rus Vladimir Putin që të mos rrisë çmimet e gazit dhe naftës që Rusia furnizon për Hungarinë, pavarësisht rritjes së çmimeve në tregjet ndërkombëtare.


